Leonard Karaj

Sulmuesi bardheblu është përjashtuar për shkak të sjelljes jo korrekte gjatë kohëve të fundit. Migen Memelli nuk do të jetë pjesë e skuadrës së Tiranës për takimin e radhës.Ai është pezulluar nga trajneri Alban Tafaj, për shkak se nuk ka respektuar vendimet e tij taktike. Vendimi de jure është marrë dje, por de fakto ka qenë përgatitur që në takimin me Skënderbeun. Gjatë asaj ndeshje Memelli pati një polemikë me teknikun e Tiranës. Ky përjashtim sipas Tafajt është një paralajmërim për këtë futbollist që mund të shkojë deri në largim nga klubi nëse nuk do të reflektojë.
“E kam pezulluar për një ndeshje, duke e lënë jashtë listës së 18-shes. Memelli ka thyer rregullat e funksionimit tonë si klub dhe në veçanti është konfliktuar me trajnerin në aspektin disiplinor. E gjitha kjo nisi në takimin me Skënderbeun, pasi sulmuesi nuk i është përmbajtur detyrave taktike të udhëzuara nga unë si trajner e për pasojë ka dëmtuar interesat e skuadrës në fushë, ku nuk shkuam dot më shumë se barazimi. Pezullimi i tij nuk është pa afat, por vetëm për një ndeshje dhe kjo është një shenjë paralajmërimi, duke shpresuar që lojtari të reflektojë drejt dhe të përgjigjet në atë lartësi që ne dëshirojmë dhe presim prej tij”, ka pohuar Tafaj.
Për t’u theksuar është fakti se ditë më parë ka qenë pikërisht tekniku Alban Tafaj ai që pati kërkuar presidentit që ti rinovonte kontratën Memellit me Tiranën, duke pasur bindjen e plotë se sulmuesi është një lojtar i nevojshëm për skuadrën dhe një sulmues që mund t’i ndihmonte bardheblutë të gjenin vetveten në kampionat. Edhe presidenti Refik Halili pati deklaruar për median se sulmuesi do të qëndronte edhe më tej me Tiranën, duke i dhënë garanci deri në fund të sezonit. Ai konfirmoi madje se Memelli do të konsiderohej dhe si blerja e parë e Tiranës për merkaton e janarit, nisur nga fakti se sulmuesit i skadon kontrata ditët e fundit të dhjetorit.