Tirana rimerr kryesimin në Kategorinë Superiore pas 79 ditësh. Me fitoren 3-1 në fushën e Besës, 23-herë kampionët ngjiten në kuotën e 39 pikëve dhe përfitojnë nga "ndalesa" e Vllaznisë në Elbasan. Bardheblutë kthehen në vendin e parë pas tetë javësh (e humbën kreun në javën e 13-të, më 29 nëntor), por fakti më interesant është se ata janë paraqitur si një skuadër e papërmbajtshme, menjëherë pas largimit të Blazh Slishkoviç. Statistikat flasin "pro" trajnerit Agustin Kola, i cili pas emërimit më 12 dhjetor 2008 (përpara javës së 15-të) ka regjistruar 5 fitore në gjashtë sfida. I vetmi hap fals është ai i javës së 16-të, me humbjen 2-0 në fushën e Flamurtarit. Kola, një prej lojtarëve më të mëdhenj në historinë e klubit është shfaqur në rolin e "bomberit" edhe tashmë që punon si trajner. Me të në stol, Tirana ka marrë pamjen e një makine golash: 18 rrjeta të realizuara në total (7 të pësuara), ku mesatarisht janë shënuar 3 gola për ndeshje. Në fitoren e djeshme përballë kavajasve kanë vendosur Daniel Xhafa, Ansi Agolli dhe goleadori Migen Memelli. Ndërkohë, goli i kapitenit të verdhezinjve, Mihani, i cili solli barazimin e përkohshëm 1-1, ishte thjesht sa për statistikë. Kryeqytetasit dominuan pjesën më të madhe të takimit, duke përfituar edhe për shkak të gabimeve të shumta të mbrojtjes vendase dhe ngjitja në vendin e parë ishte shpërblimi i ecurisë pozitive të javëve të fundit.



Tirana falënderon edhe Elbasanin, që ia bëri jetën të vështirë Vllaznisë në "Ruzhdi Bizhuta". Në sfidën që solli debutimin e trajnerit Faruk Sejdini te verdheblutë, shkodranët e drejtuar nga Agim Canaj konfirmuan momentin e vështirë që po kalojnë. 4 pikë të grumbulluara në katër ndeshjet e fundit (1 fitore, 1 barazim dhe dy humbje), nuk janë statistika të përshtatshme për një skuadër që pretendon titullin. Kuqeblutë kanë tentuar deri në fund të largohen me tri pikë të plota nga Elbasani, ashtu sikurse edhe vendasit, por në fund të dyja ekipet janë ndarë në një barazim pa gola. Java e 20-të e Superiores ka sjellë një tjetër debutim në klubet elitare: atë të Shkëlqim Muçës me Dinamon. Për ish-zyrtarin e Tiranës përballja me Apoloninë ka qenë mjaft e vështirë dhe në fund blutë triumfuan me rezultatin 3-2. Tregolëshi i Fatjon Sefës ka bërë të pavlefshëm golat e dy serbëve të bardhjeshilëve, Brkiç dhe Haxhibuliç. Në këtë mënyrë, Muça ndërpret serinë negative të dinamovitëve, që kishin humbur në dy takimet e fundit nën drejtimin e kroatit Zlatko Daliç, por trajneri ka marrë edhe sinjale të qarta se skuadra ka ende nevojë për riparime. Për fierakët, humbja në "Selman Stërmasi" regjistroi fundin e serisë me katër fitore radhazi. Në Peqin ndërpriten edhe fitoret e Partizanit (prej tri ndeshjesh radhazi). Të kuqtë e drejtuar nga Shpëtim Duro mposhten 1-0 nga Shkumbini, ku goli vendimtar mban firmën e Roland Dervishit. Kryeqytetasit nuk arritën të merrnin të paktën 1 pikë nga kjo përballje, edhe pse vendasit luajtën për afro 33 minuta në inferioritet numerik, pas kartonit të kuq të Turdiut. Barazime 1-1 në dy takimet e tjera Teuta-Lushnja dhe Bylis-Flamurtari.





Superiore



Java 20



Teuta-Lushnja 1-1



Vila 75‘ / Topi 51‘



Elbasani-Vllaznia 0-0



Besa-Tirana 1-3



Mihani 45‘ / Xhafa 29‘, Agolli 53‘, Memelli 76‘



Shkumbini-Partizani 1-0



R. Dervishi 42‘



Dinamo-Apolonia 3-2



Sefa 44‘, 63‘, 74‘ / Brkiç 10‘, Haxhibuliç 81‘



Bylis-Flamurtari 1-1



Muça 13‘ / Galica 71‘





Skuadra N. P.



1. Tirana 20 39



2. Vllaznia 20 38



3. Dinamo 20 32



4. Shkumbini 20 30



5. Besa 20 29



6. Teuta 20 26



7. Flamurtari 20 25



8. Elbasani 20 24



9. Apolonia 20 24



10. Partizani 20 19



11. Lushnja 20 18



12. Bylis 20 18