Goleadë në Kavajë, Besa punon për “Këpucën e Artë” të Xhafajt

Mungojnë edhe 90 minuta nga mbyllja zyrtare e Kategorisë Superiore, por java e 32 ka dhënë rezultate që në mënyrë të paevitueshme duket se përcaktojnë fatet e sezonit. Një efekt “domino”, i cili e bën të lehtë parashikimin e verdikteve përfundimtare. Tirana fiton me rezultatin 3-2 derbin kundër Dinamos. Gjergji Muzaka, me dy golat e tij dhe Sebino Plaku (i cili është hakmarrë ndaj së kaluarës blu), i siguruan skuadrës së drejtuar nga Sulejman Starova vendin në Europa League. Në anën tjetër, golat e Malotës dhe Bakajt kanë shërbyer vetëm për statistikë. Dinamovitët ishin protagonistë të një tjetër paraqitjeje të nivelit të dobët: me titullin kampion në kasafortë, ata presin vetëm fërshëllimën finale të edicionit, për të ngritur trofeun e kampiones së Shqipërisë. Kjo ishte disfata e shtatë radhazi për të besuarit e Shkëlqim Muçës, që në fazën e tretë kanë regjistruar 8 humbje, 1 barazim dhe vetëm 1 fitore (kundër Gramozit, në javën 23). Me fitoren e djeshme, Tirana ngjitet në kuotën e 51 pikëve, aq sa edhe Laçi, dhe është e pakapshme për Vllazninë e vendit të pestë. Kjo logjikisht do të ndikojë në luftën për mbijetesë, pasi në javën e fundit të kampionatit, bardheblutë luajnë në fushën e Skënderbeut. Ata priten të shfaqen të pamotivuar në Korçë, ndërsa bardhekuqtë kanë shansin të marrin tri pikë të lehta dhe të evitojnë rënien direkte nga kategoria. Në këtë mënyrë, edhe pse humbi 1-0 në fushë, në ndeshjen me Laçin, skuadra e Mirel Josës mund të jetë më e qetë në garën për mbijetesë, ndërsa shpreson t’i shpëtojë ndeshjeve “play-out”. Fat të ngjashëm me Skënderbeun ka edhe Kastrioti: ekipi i Ndreut humbi 2-0 përballë Shkumbinit, me peqinasit që siguruan “mesin e artë” në klasifikim. Megjithatë, në javën e fundit të sezonit, krutanët do të presin në fushën e tyre Laçin, që ashtu sikurse Tirana e ka siguruar “biletën” në Europa League, e nuk pritet të luajë në maksimumin e forcave. Kastrioti ndodhet në vendin e dhjetë me 39 pikë: me një fitore në takimin e javës së 33 ata do të evitojnë rënien direkte nga kategoria, ndërsa për të qëndruar mes më të mirëve duhet të luajnë në “play-out”.


Goditjen më të madhe e mori padyshim Apolonia. Me humbjen 0-1 në fushën e tyre kundër Vllaznisë, me golin e sulmuesit të talentuar Bekim Bala, fierakët e shohin veten virtualisht një kategori më poshtë. Gjithçka lidhet me faktin se dy rivalet më të afërta, Skënderbeu dhe Kastrioti, pritet të marrin fitore të lehta në ndeshjen e fundit. Të mërkurën e ardhshme, ata luajnë në Ersekë me Gramozin, skuadër e cila i ka dhënë lamtumirën elitës, por duhet të shpresojnë që një fitore e tyre e mundshme të kombinohet me një hap fals të korçarëve dhe krutanëve. Me tri pikët në Fier, Vllaznia nuk rrezikon rënien nga kategoria, ndërsa në javën e fundit ata pritet t’i bëjnë një “nder” Teutës. Durrsakët fituan 3-1 në “Niko Dovana” përballë Flamurtarit dhe me një triumf në Shkodër ata do të evitonin edhe ndeshjet shtesë për mbijetesë. Takimi i fundit ishte ai i luajtur në Kavajë, ku Besa fitoi me goleadë përballë Gramozit: 6-4 ishte rezultati përfundimtar në favor të fituesve të Kupës. Në këtë sfidë, verdhezinjtë e trajnerit Shpëtim Duro u vunë në shërbim të sulmuesit Daniel Xhafaj, i cili kërkon “Këpucën e Artë”. Vlonjati realizoi tri gola dhe tashmë merr kreun në klasifikimin e golashënuesve me 17 rrjeta, duke lënë mbrapa serbin e Apolonisë, Mlladen Bërkiç (me 15).








#