Ndeshja e golave me kokë. Kështu mund të konsiderohet takimi Tirana-Teuta (2-1), kur edhe Haliti për durrsakët në minutën e 4-të, i ndihmuar edhe nga Jahmir Hyka, i cili në tentativë për ta larguar topin e zhyti në rrjetë, por edhe Daniel Xhafaj në të 39' dhe Indrit Fortuzi në të 51' i shënuan golat po me kokë.
HALITI-HYKA
Atmosferë e ftohtë në shkallët e stadiumit "Qemal Stafa", rreth 300 shikues. Haliti i Teutës dha një goditje paralajmëruese në minutën e 2-të, kur Nallbani arriti ta presë topin pas dy ndërhyrjeve. Goditje këndi për durrsakët dhe Haliti me kokë nuk fali duke realizuar në portën e Nallbanit në minutën e 4-t, i ndihmuar edhe nga tentativa e futbollistit të Tiranës, shtatshkurtrit Hyka, i cili e devijoi topin në rrjetë. Ky ishte dhe goli i parë i kosovarit , i cili ka luajtur në Australi me Njukasëll Xhets. Durrsakët luajtën më të mobilizuar njëzet minutat e para, përjashtuar rastin sporadik të sulmuesit të Tiranës, Daniel Xhafaj, i frenuar me zgjuarsi nga Xhevair Kapllani në minutën e 18-të. Sulmuesi Abazaj dhe mesfushori Capaj patën dy mundësi të mira për Tiranën, por kapiteni i Teutës, Kapllani, ishte në një ditë shumë të mirë. Abazaj, Hyka ishin në garë se kush do të humbiste raste më shumë.
XHAFAJ – FORTUZI
Klodian Duro hodhi mjeshtërisht një top brenda zonës së vogël, dhe po më këtë klas Xhafaj shënoi me kokë në portën e ish-skuadrës së tij gjatë sezonit të kaluar, duke barazuar rezultatin në minutën e 39-të, që mbylli edhe pjesën e parë me rezultat të barabartë 1-1. Goli i parë i vlonjatit Xhafaj në kampionat. Minutat e mbetura të pjesës së parë folën tërësisht për bardheblutë, ashtu si fillimi i pjesës së dytë, kur Indrit Fortuzi po me kokë shënoi golin e dytë në minutën e 51-të, duke realizuar golin e dytë për Tiranën në këtë takim, por dhe të dytin personal gjatë dhjetë ndeshjeve të para. Tirana diktoi plotësisht pjesën e dytë ndaj një Teutë të lodhur dhe në krizë të plot duke pësuar humbjen e shtatë në dhjete javët e para. Tirana pas krizës së javëve të para, duket qartë se e ka marrë veten edhe falë kontributit të trajnerit Hafizi.
KONFLIKTI I ABAZAJT
Tekniku bardheblu e hodhi në fushë nga minuta e parë, ish-sulmuesin e Kastriotit, Orjand Abazaj, por ky i fundit humbi shumë raste të pastra shënimi, cka provokoi edhe nervozizmin e tifozerisë së pakët bardheblu të pranishme në "Qemal Stafa". "Ultrasit" kërkuan në korr zëvendësimin e tij dhe lojtari shkëmbeu disa batuta aspak të hijshme me ta. Më fillimin e pjesës së dytë, Hafizi e zëvendësoi atë me veteranin Indrit Fortuzi, i cili rezultoi efikas, pasi shënoi edhe golin e fitores ndaj durrsakëve.



Skeda e ndeshjes
Tirana-Teuta 2-1
Shënues: Xhafaj 39', Fortuzi 51'/ Haliti 4'
E mërkurë, 7 nëntor 2007, stadiumi kombëtar "Qemal Stafa"
Tirana: Nallbani, Sina, Dede, Vrapi, Fagu, Sefa, Hyka, Capja, Duro (Merkoci 85'), D. Xhafaj (Arapi 69'), Abazaj (Fortuzi 46'). Trajner: Astrit Hafizi.
Teuta: Kapllani, Dushku, Likmeta, Stafa, Hodo (Dragusha 70'), Buna, Vila, Haliti, Hysa, Lamaj, Cota (Ismail 68'). Trajner: Gentian Begeja.
Gjyqtarë: T. Latifi, A. Lamce, G. Qirici.
Kartonë të verdhë: -
Kartonë të kuq: -

Trajnerët
Hafizi: "Jam i kënaqur vetëm me rezultatin"
Trajneri i Tiranës, Astrit Hafizi u shpreh pas takimit: "Unë jam i kënaqur vetëm me rezultatin sot, por kam rezervat për lojën, pasi jam i bindur se grupi ka forca më shumë për të reaguar. Mund të kishim luajtur dhe më mirë, por gjithsesi, e rëndësishme është që fituam dhe konfirmojmë qëndrueshmëri. Pozitivja për ne lidhej me reagimin mjaft pozitiv të skuadrës, e cila, edhe pse në disavantazh të një goli, arrin të gjejë barazimin dhe lufton e kalon në epërsi, duke pasur vullnet për marrje rezultati pozitiv, pra fitores. Duhet thënë se sot sulmi u zhbllokua më në fund dhe kjo është dicka tjetër shumë e mirë për ne."

Begeja: "Teuta do të qëndojë në Superiore"
Trajneri i Teutës, Gentian Begeja u shpreh pas takimit me Tiranën: "Ekipi sot luajti mirë. Ndryshe nga dy ndeshjet e kaluara, lojtarët e mi sot bënë një tjetër performancë dhe kishin dëshirë që të merrnin rezultat pozitiv. Por përballë patëm një ekip të fortë që përmbysi avantazhin tonë dhe fitoi takimin. Na mungon eksperienca dhe kjo është mangësia jonë më e madhe. Shpresojmë që në ndeshjen e radhës të arrijmë tek fitorja. Besoj se Teuta do të gjejë mundësitë për të qëndruar në Kategorinë Superiore".