Dash Frashëri

- "Ndeshja me Vllazninë, që shënon dhe mbylljen me sukses të sezonit, do të këtë më shumë karakter spektakli, sesa një takim ku do të synojmë rezultat. Thjesht do ta konsideroja një ndeshje për tifozët tanë", - pohon për Albania-sport.com, trajneri i 23 herë kampiones, Tiranës, pak orë përpara ndeshjes së javës së 33-të me Vllazninë në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa" (sot, ora 16:00). Kjo është dhe java e fundit e Kategorisë Superiore për sezonin 2006-2007.
MË TË MIRËT: "Ne do të hedhim në fushë formacionin më të mirë tonin", - shton Muca, i cili ka fituar edhe dy herë të tjera titullin kampion në sezonet 1994-1995 dhe 1999-2000. Tirana, në ndeshjen paraardhëse të humbur kundër Teutës (2-0), luajti më një skuadër modeste, me vetëm katër titullarë. Tirana e siguroi titullin kampion dy javë përpara përfundimit të sezonit, kur klubi rekordmen shqiptar mposhti në tempullin e futbollit shqiptar, Partizanin (1-0), një tjetër legjendë e futbollit shqiptar, në një sfidë nervoze (nëntë kartonë të verdhë dhe një i kuq) dhe të kontestuar fort nga drejtuesit e skuadrës së kuqe, si nga ana e presidentit Albert Xhani ("Jemi viktimë të sistemit"), ashtu dhe nga trajneri Lika ("Gjykimi i Pezës, lë të kuptosh se Tirana fiton edhe me ndihmën e arbitrave").
FESTË E DENJË: Katër donatorët e KF Tiranës, Agron Papuli, Shefikat Ngjela, Refik Halili dhe Anvi Nuri, kanë menduar gjatë edhe për festën që do të shoqërojë parandeshjen dhe mbylljen e saj. "Do të jetë një festë e denjë për një titull kampion. Tribuna B e stadiumit kombëtar do t'u rezervohet krejtësisht familjarëve të lojtarëve, ndërsa ajo A do të jetë për tifozët. Karshi pa dyshim do të jenë ultrasit e Tiranës, që tashmë janë grupuar në disa shoqata tifozësh", - thotë shefi i klubit. "Janë porositur tullumbace bardheblu, flamuj të vegjël për tifozët, banderola të mëdha dhe si e vecantë do të jetë një balonë e madhe bardheblu, e cila do të jetë në pistën e stadiumit". Festa do të ketë edhe aromën e këngës bardheblu dhe asaj tiranase. "Organizatorët kanë thirrur, si zakonisht, këngëtarët Pajtim Struga, Artiola Toska dhe Valbona Mema, të cilët do të krijojnë ambient festiv", - jep të tjera detaje Muca, që feston njëherësh edhe titullin e tij të tretë si trajner.
VETËM TE TIRANA:"Cdo titull ka bukurinë e tij. Unë jam i lumtur që arrij të fitoj shumë trofe me Tiranën. Këtë kënaqësi mund të ma japë vetëm ky klub dhe askush tjetër, që nga koha kur kam luajtur si futbollist dhe deri sot si trajner i saj", - pohoi me krenari Shkëlqim Muca, tri herë kampion si futbollist. "Ia vlen të punosh për këtë klub, më të mirin në Shqipëri", - thotë Muca, njëherësh edhe zyrtari më i lartë administrativ i klubit të themeluar në vitin 1920.
DUHET REVOLUCION: Pas një viti mungesë (sezonin e kaluar luajti në Kupën UEFA), Tirana rikthehet në Ligën e Kampioneve, ku nuk ka mundur dot të kalojë turin e dytë, një nga makthet e tifozerisë bardheblu. "Problemi i kalimit të tyrit të dytë nuk është vetëm problem financiar. Krijimi i një ekipi cilësor ka të bëjë me shumë gjëra. Duhet bërë një revolucion i tërë që fillon nga merkato dhe organizimi, infrastruktura. Besoj se nuk jemi në momentin më të mirë".
JASHTE FUSHES
BAMIR TOPI, DEPUTETI KAMPION
Deputeti dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Bamir Topi, prej një viti është presidenti i Klubit të Futbollit "Tirana", një detyrë më shumë honorifike. Tifozi i thekur i bardhebluve, shumë aktiv në raport me paraardhësin e tij, Fatmir Frashëri, do të shijojë të shtunën titullin e parë kampion në drejtimin e tij. Të mërkurën, Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, zbriti në fushë për të festuar së bashku me futbollistët dhe drejtuesit e Besës, fituese e Kupës së Shqipërisë. Të njëjtën gjë, sipas Mucës, do ta bëjë edhe Topi.
JOSA E NISI, MUCA E PËRFUNDOI
Takimi midis Tiranës dhe Vllaznisë, nëntë herë kampione, ka brenda saj edhe një duel trajnerësh tërësisht bardheblu. Mirel Josa, tekniku i shkodranëve, e nisi sezonin futbollistik si drejtues i Tiranës, që e drejtoi deri në javën e 11, duke e lënë atë në vend të parë përpara së të shkarkohej nga katërshja e donatorëve pas humbjes me Flamurtarit (3-2) dhe barazimit me Shkumbinin (2-2). Edhe Shkëlqim Muca pësoi disa humbje (me Kastriotin dhe Shkumbinin), por arriti ta shpallë kampion Tiranën për të herë të 23-të në 68 kampionate.
TË GJITHA NDESHJET E TIRANËS
FAZA E PARË
Elbasani-Tirana 2-2
Tirana-Kastrioti 7-3
Vllaznia-Tirana 1-1
Tirana-Dinamo 2-1
Partizani-Tirana 0-2
Tirana-Apolonia 3-1
Teuta-Tirana 1-1
Tirana-Luftëtari 1-0
Besa-Tirana 1-2
Flamurtari-Tirana 3-2
Tirana-Shkumbini 2-2
FAZA E DYTË
Tirana- Elbasani 2-0
Kastrioti- Tirana 2-1
Tirana- Vllaznia 1-0
Dinamo- Tirana 1-2
Tirana- Partizani 3-2
Apolonia- Tirana 0-2
Tirana-Tirana 5-0
Luftëtari-Tirana 0-2
Tirana- Besa 1-2
Tirana- Flamurtari 2-0
Shkumbini- Tirana 1-2
FAZA E TRETË
Tirana-Apolonia 1-0
Shkumbini-Tirana 2-1
Tirana-Luftëtari 2-0
Kastrioti-Tirana 1-1
Tirana-Flamurtari 1-1
Elbasani-Tirana 1-2
Tirana-Dinamo 2-1
Besa-Tirana 0-1
Tirana-Partizani 1-0
Teuta-Tirana 2-0
Tirana-Vllaznia, sot

KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 33
Tirana-Vllaznia
Shkumbini-Teuta
Luftëtari-Partizani
Kastrioti-Besa
Flamurtari-Dinamo
Apolonia-Elbasani

RENDITJA
1. Tirana 32 69
2. Teuta 32 64
3. Vllaznia 32 63
4. Partizani 32 57
5. Dinamo 32 44
6. Besa 32 41
7. Elbasani 32 39
8. Flamurtari 32 34
9. Kastrioti 32 34
10. Shkumbini 32 34
11. Luftëtari 32 30
12. Apolonia 32 25