Leonard Karaj

Tirana humbet në Fier. Dinamo e Besa vazhdojnë serinë e fitoreve, ndërsa Teuta konfirmon krizën e Vllaznisë.
Java e pestë më shumë se konfirmimin e dy kryesuesve të Superligës, Dinamos dhe Besës ka nxjerrë në pah sërish problemet e Tiranës dhe krizën totale tashmë të Vllaznisë së Shkodrës. Bardheblutë kanë humbur për të dytën herë në 5 javë, këtë herë përballë një Apolonie e vendosur mirë në fushën e lojës dhe mjaft racionale. Lonçariviçit i është dashur të përballojë mungesa të tjera veç të deklaruarve prej kohësh (Muka, Memelli, Dabulla, Lila i pezulluar) duke hedhur në fushën e lojës një skuadër kryesisht të re. Madje kroati i ka lejuar luksin vetes të lërë në stol për pjesën e parë edhe nigerianin Abraham, kjo më së shumti si ndëshkim për sjelljen jo shumë korrekte të mbrojtësit gjatë javëve të fundit. Ndërkaq duhet theksuar loja e mirë e vendasve të cilët arritën të shënonin dy gola të shpejtë në fundin e takimit duke mos i lënë mundësi Tiranës që të reagonte.
Vllaznia
Probleme pafund për Likën te Vllaznia. Shkodranët kanë sigluar humbjen e tretë në 5 ndeshje, duke theksuar krizën psikologjike më së shumti të sulmuesve. Atëherë kur pritej kthesa e shumëpritur ndaj Teutës, skuadra e presidentit Valter Fushaj pëson një humbje tjetër këtë sezon. Teuta, nga ana e saj, e drejtuar nga një ish-trajner i Vllaznisë, Mirel Josa, pas fitores së bujshme në Vlorë, arriti suksesin e tretë sezonal. Golin e fitores e shënoi talenti i Kombëtares U-21, Vilfor Hysa, në minutën e 65-të. Fushaj është treguar i rreptë dhe i prerë gjatë përgatitjeve për ndeshjen kundër Vllaznisë, duke kërkuar pikë të plota në Durrës, por skuadra e drejtuar nga Hasan Lika dështoi në misionin e saj. Tashmë mbetet e paqartë se çfarë masash ekstreme do të ndërmarrë bosi i kuqebluve, nënkampione e sezonit të kaluar.
Kryesuesit
Ndërkohë që nuk dinë të gabojnë Dinamo e Besa. Blutë e kryeqytetit fituan falë formës së shkëlqyer të Elis Bakajt, i cili realizoi një dopietë, duke marrë edhe kryesimin e golashënuesve më të mirë të kampionatit. Nga ana tjetër Shkumbinit iu desh të luante për gati 30 minuta me dhjetë lojtarë pas daljes me të kuqe të Hetlem Çapjes. Zhbllokohet edhe Daniel Xhafaj pas tri ndeshjesh. Vlonjati ka rezultuar deciziv në Kavajë duke shënuar golin e vetëm dhe të tretin personal me fanellën e Besës. Për t’u theksuar është edhe loja e mirë e korçarëve, të cilët rrezikuan disa herë portën e vendasve me anë të Rukavinës dhe Guerrip.
Fitore e merituar e Gramozit në Ersekë ndaj një Flamurtari që edhe me Maganin nuk arrin të gjejë vetveten. Hyseni dhe Sadiku, janë goleadorët që i dhanë fitoren e parë kolonjarëve në këtë kampionat. Menjëherë presidenti i klubit Mustafa Taçi ka dhënë një premio (10 mijë lekë të reja për secilin) për të gjithë futbollistët e skuadrës së tij.
Ndërkaq i vetmi barazim këtë javë u shënua në Krujë ku vendasit nuk arritën të shfrytëzonin faktorin fushë përballë rivalëve direkt të Laçit. Duhet thënë se laçianët luajtën për disa minuta edhe më dhjetë lojtarë pas daljes së Sefgjinit me karton të kuq.