Një gol i shënuar nga pika e bardhë nga veterani Indrit Fortuzi në pjesën e parë dhe një i dytë i realizuar pas një kryevepre nga i riu Jetmir Stefa në fraksionin e dytë ndeshjes, i siguruan fitoren e parë kampionëve në fuqi kundër Shkumbinit, teksa peqinasit regjistruan humbjen e dytë në dy ballafaqimet me dy ekipet kryeqytetase në harkun e gjashtë ditëve.
Tirana me fitoren 2-0 në "Selman Stërmasi" bëri autokritikën më të mirë pas dështimit një javë më parë me Flamurtarin në Vlorë, dhe kësaj radhe në praninë e njeriu të parë të shtetit shqiptar, presidentit të Republikës së Shipërisë, Bamir Topit, veshët e të cilët kanë dhembur jo pak nga korret fyese të tifozerisë peqinase ndaj ndonjë vendimi të diskutueshëm të gjyqtarit lushnjar Shkëlqim Guce.
Bardheblutë e kërkuan fitoren nga minuta e parë, por golin e gjetën vetëm në minutën e 12-të, kur "Zogu" , golaedori më i mirë në historinë e Tiranës, Indrit Fortuzi arriti të fitojë një penallti, të cilën po vetë e finalizoi, duke shënuar kështu edhe golin e parë të tij sezonal, pas rikthimit nga Iraklisi i Selanikut. Pjesa e parë ofroi edhe dy momente për Shkumbinin
kur Alban Byzhyti nuk arriti të kthejë një rast ideal në minutën 27-të, ndërsa mund të kishte fituar edhe të drejtën e një 11-metërshi kur, mbrojtësi i Tiranës, Endri Vrapi preku topin me dorë. Gjyqtari Guce lejoi vazhdimin e lojës, cka solli edhe irritimin e tifozerisë peqinase.
Fraksioni i dytë nisi me një tentativë të dështuar të Daniel Xhafaj, i cili në minutën e 54-rt nuk shfrytëzoi si duhet një rast ideal. Ish-lojtari i Teutës ende larg formës së tij. Në minutën e 56-të, Kacollja i Shkumbinit nuk arriti të finalizojë një top të shpëtuar nga duart e portierit të Tiranës, 35-vjecarit Blendi Nallbani, pas gjuajtjes së fuqishem të Lorenc Pashjes. Kulmi i 45 minutave të dyta ishte kryvepra e mesfushorit Jetmir Sefa, i cili me një gjuajte nga 30 metra e futi topin në trekëndësh duke i hequr cdo mundësi Llanit të reagojë dhe të pësojë golin e katërt në dy ndeshjes. Edhe blerja e fundit e Shkumbinit, Gentian Stojku pati një rast të mirë, kur me zgjuarsi hodhi një top në formë parable mbi Nallbanin, por portieri i Tiranës u stërzgjat për të devijuar sferën.
Tirana e meritoi fitoren, falë formës së mirë të Fortuzit (të zëvëndësuar më pas nga Bakalli), Sefës (të zëvëndësuar nga Erald Delliallisi), Jetmir Hykës, por dhe të debutuesit Erbim Fagu. Shkumbini, që zhvilloi një lojë dinjitoze ashtu si dhe kundër Partizanti, u kthye në shtëpi në kuotën zero pikëve, kjo edhe për faktin se u përball nga dy ekipet më të mira të Shqipërisë.

STATISTIKAT E AZHURNUARA
TIRANA-SHKUMBINI 2-0
Stadiumi "Selman Stërmasi", Tiranë
Gjyqtarë: Sh.Guce, E.Doda-I.Shima
Bilanci: 34 ndeshje; 26 fitore Tirana, 6 barazime, 2 fitore Shkumbini. Golat: 71-28