Kanos prokurorin pas caktimit të masës nga gjykata, arrestohet për të dytën herë dhe tashmë mbi të rëndon një tjetër akuzë. Një 33-vjeçar u arrestua nga policia, pasi kërcënoi një prokuror, sepse ishte i pakënaqur për kërkesën e prokurorit Gjon Kodra, i cili kërkoi “arrest me burg” për të vëllanë dhe “arrest shtëpie” për 33-vjeçarin. Burime zyrtare policore bënë të ditur se specialistët e Seksionit Kundër Krimeve Ndaj Jetës dhe Shëndetit kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit Bexhet Vogli, lindur dhe banues në Tiranë. Sipas burimeve nga policia, ndalimi i tij u krye pasi 33-vjeçari dyshohet se në ambientet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka kanosur prokurorin Kodra, kur ky u fundit sapo kishte mbaruar një seancë gjyqësore në ngarkim të dy të pandehurve, Bexhet Vogli, ndaj të cilit gjykata kishte vendosur masë sigurimi “arrest shtëpie”, dhe Sali Vogli, që aktualisht ndodhet i arrestuar. U kryen veprimet procedurale dhe materialet i kaluan prokurorisë së rrethit për veprën penale të “kanosjes së gjykatësit apo prokurorit”.