TIRANE- Sallat kirurgjikale të spitalit Ushtarak, gjatë muajit gusht, do të jenë të hapura vetëm për rastet emergjente dhe ushtarakët. Sipas një urdhri të drejtorisë së këtij spitali, për gushtin do të pezullohen të gjitha operacionet e planifikuara që do të kryeheshin në këtë muaj të nxehtë.

Drejtoria e spitalit i ka sqaruar mjekët se vendimi është marrë për faktin se ky muaj, që shënon edhe temperatura rekord, nuk është i përshtatshëm për të kryer operacione, pasi mund të ndodhin infeksione të ndryshme dhe vështirësi në mirëmbajtjen e plagës së hapur nga ndërhyrja kirurgjikale.

Por nuk ka qenë ky versioni që kanë dhënë mjekët për urdhrin e ri të drejtorisë së spitalit. Bluzat e bardha të Ushtarakut, të cilave u referohet sot GSH sqarojnë se arsyeja e vërtetë e pezullimit të operacioneve të planifikuara, nuk është vapa, por mungesa e medikamenteve dhe materialeve mjekësore. "Arsyeja e vërtetë për pezullimin e operacioneve të planifikuara është mungesa e thuajse të gjithë barnave dhe materialeve mjekësore. Mungon deri betadina për dezinfektimin e plagëve, ndaj është e vështirë të futesh në sallën e operacionit", - kanë shpjeguar mjekët kirurgë që ushtrojnë profesionin e tyre në këtë spital, citon GSH. Ata shtojnë se një tjetër arsye për pezullimin e operacioneve të planifikuara është edhe fakti se gjatë muajit gusht marrin lejen një pjesë e madhe e personelit duke bërë që numri i atyre që është në shërbim të pacientëve të reduktohet shumë.

Mjekët thonë se në spitalin Ushtarak mesatarisht në ditë kryhen 9-10 operacione dhe shtyrja e operacioneve të planifikuara për muajin gusht në shtator do të dyfishojë punën e tyre.
(s.g/balkanWeb)