TIRANE- Rreth 44 Kodikë që i përkasin periudhës së historike nga shekulli VI deri në shek. XVIII, u paraqitën në ekspozitën e çelur të hënën pasdite në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivit në Tiranë.

Në ekspozitën , “Dorëshkrime Bizantine dhe Pas Bizantine në Shqipëri”, organizuar nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit, Sali Berisha, spikasinin dhe dy kodikët e njohur, Beratinus Purpureus 1 dhe Beratinus Purpureus 2, pjesë e Regjistrit të Kujtesë Botërore të UNESO-s, që prej vitit 2005.

I pranishëm në këtë aktivitet, Kryeministri Berisha u shpreh “Dokumentet kishtare, Kodiku i Purpurt, kodikët e tjerë janë një pasuri e madhe, por ato dëshmojnë sesi shqiptarët, elita e tyre i mbrujti, i ruajti, i përcolli ato brez pas brezi”.

“Berati dhe qytetet e tjera të vendit në shekuj njohën gjer në rrafshime barbare, por kodikët mbijetuan nga gjenerata në gjeneratë, për të ardhur si dëshmi e pavdekësisë së këtij kombi”. –shtoi kryeministri.

Ekspozita ka për qëllim njohjen e studiuesve dhe publikut me një pjesë të pasurive dokumentare, që lidhen me traditën dhe historinë e dorëshkrimeve bizantine dhe pasbizantine.
Të pranishëm në këtë ekspozitë ishin Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministra të kabinetit qeveritar, Ambasadorë, historianë, etj. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri në 4 qershor.
(e.n/BalkanWeb)