TIRANE - Arrestohet për ushtrim prostitucioni 20-vjeçarja e liruar pak kohë më parë nga burgu. 

Sipas policisë së Tiranës, Seksioni kundër Trafiqeve ka prangosur 20-vjeçaren Sajmira Kalthi, me origjinë nga qyteti i Laçit dhe banuese në Tiranë, e dënuar më parë për "ushtrim prostitucioni". Sipas burimeve policore, prangosja e saj në flagrancë u krye sepse dy ditë më parë në një motel në rrugën "Karl Gega", po ushtronte prostitucion me një shtetas, kundrejt shumës së parave prej 5 mijë lekë të reja. Efektivët e antitrafikut pas kryerjes së veprimeve procedurale, sekuestruan në cilësinë e provës materiale shumën prej 5 mijë lekësh. Ndërsa pas izolimit të saj në qeli u verifikua se kishte vuajtur një dënim të mëparshëm për të njëjtën vepër penale. Pas kësaj, policia pohon se materialet në ngarkim së të arrestuarës iu kaluan Prokurorisë, për veprën penale të "ushtrimit të prostitucionit", ndërsa fakti që ajo është përsëritëse në këtë vepër penale është cilësuar si rrethanë rënduese. Paraditen e sotme pritet që ajo të shoqërohet në gjykatë, ku do përballet me kërkesën e akuzës për masë sigurie.         f.m.