Mendimi dominues në qarqet diplomatike, lidhur me politikën aktuale lavjerrëse të Serbisë mes BE dhe Rusisë, është se Serbia është si nusja me dy burra. Por kjo pozitë dyzuese është komprometuar aq shumë, saqë në Beograd e ndjejnë nevojën të gjejnë jo thjesht argumente apo teza për të justifikuar dashurinë e tyre zyrtare të ndarë përgjysmë mes Rusisë dhe BE, por dhe të kërkojnë një bazë teorike dhe programatike për këtë situatë poligamie politike, e cila nuk mund të vazhdojë gjatë. Në këtë kuadër shohim daljen me një parashtrim të ri të platformës së politikës së jashtme të Serbisë nga presidenti i saj, Tomislav Nikoliç, i cili në datën 10 korrik deklaroi se "orientimi Lindje-Perëndim i Serbisë ndjek atë, që ka zbatuar ish presidenti i Jugosllavisë, Josip Broz Tito. Sot koncepti i Titos për politikën e jashtme është zgjidhja e vetme më e drejtë".

Është hera e parë që një kryetar shteti i Serbisë, që nga vdekja e udhëheqësit të Federatës Komuniste Jugosllave,Tito, në vitin 1980, apo që nga prishja e Federatës Jugosllave në vitin 1991, i referohet si bazë teorike konceptit dhe doktrinës së Titos për politikën e jashtme. Tito, me origjinë kroate, ka qenë dhe është një personalitet shtetëror i papëlqyer për klasën politike serbe, dhe aq me tepër për elitën nacionaliste të saj, e cila e konsideron Titon si njeriun që nuk e lejoi Serbinë të kontrollonte plotësisht federatën dhe as të pengonte popujt joserbë të kërkonin pavarësinë. Tomislav Nikoliç është pjesë e atij grupimi nacionalist të politikës serbe, i cili në begraundin e vet politik dhe në pikëpamjet e shprehura gjatë gjithë karrierës së tij politike, nuk ka asnjë pikë takimi me doktrinën dhe me konceptet ish presidentit të Jugosllavisë Komuniste, Tito.

Referimi për herë të parë i mbështetjes tek titizmi dhe tek konceptet titiste në politikën e jashtme dëshmon vështirësitë dhe krizën e madhe politike dhe konceptuale të udhëheqjes së sotme të Serbisë. Është dëshmi e një varfërie idesh, që ka arritur një pikë kritike, sidomos pas krizës ukrainase, ku martesa me dy burra, edhe me Bashkimin Europian, edhe me Rusinë, duket e pamundur për t'u mbajtur dhe po ndjehet afrimi i ditës, kur Beogradi do të duhet të pranojë se shtratin politik dhe strategjik duhet ta ndajë vetëm me një burrë.

Kriza ukrainase solli një largim të politikës dhe të qeverisë së Serbisë nga kursi dhe nga strategjia europiane. Solli një largim, sepse tashmë nuk mund të fshihej, por duhej të përcaktohej zgjedhja e atashimit me politikën europiane të mbrojtjes së Ukrainës apo me politikën ruse të copëtimit të Ukrainës. Udhëheqja aktuale e Serbisë nuk u mendua shumë për të bërë zgjedhjen e saj proruse. Serbia nuk e dënoi ndërhyrjen ushtarake ruse në Ukrainë dhe as aneksimin e Krimesë. Serbia nuk e dënoi ndezjen e konfliktit të armatosur nga Rusia në Ukrainën Lindore. Serbia nuk u bashkua me sanksionet e vendosura nga Bashkimi Europian ndaj Rusisë, si dënim i agresionit të saj kundër Ukrainës. Serbia shkeli sanksionet e BE, të nesërmen e shpalljes së tyre nga Brukseli, duke ftuar për vizita zyrtare në Beograd personalitete politike ruse, të cilët janë në listën e sanksioneve të Bashkimit Europian. Duke sfiduar politikën dhe qëndrimin e BE, që ka ndaluar marrëveshjet e drejtpërdrejta dypalëshe me Rusinë për ndërtimin e gazsjellësit rus "South Stream" në Europën Juglindore, dhe ka kërkuar pezullimin e punimeve, që kanë filluar në Bullgari dhe në Serbi, kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, njoftoi nga Moska se Serbia do të ndërtojë pjesën e saj të gazsjellësit rus.

Udhëheqja e Serbisë ka refuzuar kërkesat e përsëritura të BE për t'u bashkuar me sanksionet europiane ndaj Rusisë, siç ka refuzuar edhe thirrjet e nënpresidentit amerikan Xho Bajden drejtuar qeverisë serbe, që ajo të qëndrojë në anën e partnerëve europiane. Ajo, që e bën jo vetëm absurd, por edhe sfidues, qëndrimin distancues dhe mospërfillës të Serbisë ndaj politikës së jashtme të Bashkimit Europian, është fakti se Serbia është shtet kandidat i BE, e cila ka hapur me BE-në edhe bisedimet e pranimit për anëtar. Serbia e afishoi edhe më hapur orientimin e saj drejt Rusisë dhe pas krizës ukrainase, konstatohet një vërshim vizitash politike në nivel të lartë mes dy vendeve, çka dëshmon një kurs të intensifikimit të marrëdhënieve dhe të koordinimit për përballimin e politikave europiane ndaj Ukrainës. Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, ishte në Beograd në 17 qershor dhe në datën 7-8 korrik kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, ishte për bisedime në Moskë.

Politika serbe e njërës këmbë tek Rusia dhe e tjetrës këmbë tek Bashkimi Europian, as nuk mund të bindë njeri dhe as mund të jetë e pranueshme. Udhëheqja e Serbisë e ndjen pozitën e vështirë të këtij dyzimi alogjik. Ndaj në një përpjekje të dëshpëruar kërkon të gjejë gomë shpëtimi tek titizmi dhe tek konceptet e doktrina e njohur e ish udhëheqësit komunist Tito për ekuilibrizëm mes të dy palëve rivale të asaj kohe, duke flirtuar edhe me bllokun komunist të Lindjes, edhe me bllokun kapitalist Perëndimor.
Mirëpo as koha dhe as faktorët, as aktorët, as rrethanat dhe as doktrinat, as marrëdhëniet ndërkombëtare dhe as ato rajonale, nuk janë dhe nuk mund të jenë të njëjta dhe as dhe të përdorshme në ditët e sotme. Politika e udhëheqësit komunist Tito e xhonglimit ekuilibrist mes dy blloqeve ushtarako-politike rivale ka qenë një politikë e kohës, kur ekzistonin në Europë dy blloqet armike, protagonistë të luftës së ftohtë, kampi i vendeve demokratike të perëndimit dhe kampi i Lindjes komuniste i sunduar nga Bashkimi Sovjetik. Roli dhe pozicioni i ish Jugosllavisë dhe i politikës titiste ekuilibriste në fushën e politikës së jashtme ishte një nevojë dhe instrument i përdorshëm nga të dy blloqet në rrethanat ndërkombëtare të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Në këtë kuadër përshtatshmërie duhet parë edhe përpjekja e Titos që të krijonte një bllok të tretë shtetesh me emrin "lëvizja e të paangazhuarve", ku përfshiheshin vende të botës së tretë, në mesin e të cilëve kishte shtete aleate edhe të perëndimit, edhe të lindjes komuniste.

Kjo do të thotë që politika titiste e njërës këmbë në një bllok dhe këmbës tjetër në bllokun tjetër, ka marrë fund bashkë me ndryshimet gjeopolitike në Europë pas shembjes së komunizmit dhe përfundimit të luftës së ftohtë. Për më tepër, ka marrë fund me shkatërrimin e ish federatës komuniste jugosllave, e cila u nda dhe u shkërmoq në shtatë shtete dhe të cilat janë të gjithë njëlloj trashëgimtarë të ish Jugosllavisë. Serbia e sotme nuk është Jugosllavia e djeshme dhe nuk mund të bëhet më kurrë.
Rikthimi tek konceptet dhe doktrina e Titos është antihistorik dhe i parealizueshëm. Edhe qeveria e mëparshme e ish presidentit Boris Tadiç u përpoq ta ndiqte këtë kurs "ekuilibrist titist", por ajo, në vend të dy shtyllave, kishte shpallur se politika e jashtme e Serbisë mbështetet në katër shtylla: Në Bashkimin Europian, në Rusinë, në SHBA dhe në Kinën. Tani presidenti i Serbisë, Nikoliç, i hoqi dy shtylla, SHBA dhe Kinën, me lehtësinë që mund të heqësh diçka, që nuk ka qenë reale, dhe zgjodhi dyshen Rusi-BE. Por sa real është ky "ekuilibër i ri titist" i qeverisë së sotme serbe? Në thelbin e vet, nevoja për të thirrur në ndihmë konceptet e Titos në politikën e jashtme është nevojë e qeverisë së sotme serbe për të fshehur dhe për të justifikuar lidhjet dhe orientimin gjenetik dhe strategjik tek Rusia. Nevoja për të thirrur në ndihmë konceptet titiste të xhonglimit me ekuilibrat në politikën e jashtme vjen edhe nga një llogaritje e qeverisë serbe tek një nostalgji e pashërueshme e disa qarqeve diplomatike europiane për ish Jugosllavinë e Titos, dhe të cilat në mënyre antihistorike ëndërrojnë që atë rol jugosllav t'ia japin Serbisë së sotme, duke harruar atë, që ua kujtoi presidenti i Serbisë në 10 korrik se "shumë njerëz në Serbi janë rusofilë". Pra nuk mund të jetë real ekuilibrizmi i ri titist i Beogradit dhe nuk mund të jetë i besueshëm presidenti i Serbisë, kur deklaron se Serbia i do të dy burrat, në një kohë që para gjashtë vjetësh, kur ishte kryetar i Parlamentit të Serbisë, ai ka deklaruar se për Serbinë është më mirë të jetë provincë e Rusisë se sa anëtare e BE, dhe tani shpalli deklaratën e dashurisë së vërtetë se "të gjithë e dinë se sa e dua unë Rusinë".

Konkluzioni nuk është vështirë të nxirret. Çështja shtrohet se sa me realizëm do ta shohin këtë politikë të titizmit të ri diplomatik institucionet vendimmarrëse në Bruksel, të cilët, pas krizës ukrainase dhe pasojave të saj ballkanike, do të duhet të rimendohen për indulgjencën e pashpjegueshme të demonstruar gjatë gjithë rrugëtimit të Serbisë për anëtarësim në BE. Argumentet diplomatike se indulgjenca diktohet nga strategjia europiane për të mos e lejuar Serbinë të shkojë tek Rusia, tingëllojnë naive. Serbia është tek Rusia. Titizmi i ri i presidentit serb është thjesht një rrëmim në dollapët e vjetër të mendimit politik komunist jugosllav për të gjetur dhe për ta shitur në tregun diplomatik si antikuare interesante një objekt të fosilizuar dhe të stërharruar si titizmi. Titizmi i tij i ri është një titizëm prorus.