Nga Ilir Levonja*


Nuk e di pse shqiptarëve u dhimbset kaq shumë ikja e Hajrie Rondos? Kemi kaq kollozër tani, sa, mjafton një Kallak a një Fevzi, a Mamaq, ku di unë tjetër. Ia kemi kaluar edhe Hollivudit. Koha e kinemasë së Hajries ishte një kovaçanë.


Shkollë e këmbëzbathurve. E atyre që nuk dinin se si të lidhnin një papion. Hajria vetë, një e dënuar nga ai soj me një apartament një dhomë e kuzhinë. E dënuar ti rishikohen rolet, përmbajtja.


Të transmetohen apo jo, filmat ku ka luajtur? Ne kemi plot tashmë. Plot që shtrembërojnë surratin. Si e si të marrin me zor një të qeshur. Ku dinte Hajria ta bënte këtë.


Këta po, e kanë gojën plot me batuta bythësh, gjoksi, leshrash. Tu rrojnë fushatat, dhe ca kaseta të shtrydhura. Nuk kanë ngelur hapësirë të lirisë sonë pa e pushtuar. Hajria se kishte haberin e kasetave. Dilte në skenë ashtu zë jete. Fshatarkë origjinale. Kuadër origjinalë. Zyshë origjinale. Sekretare partie, origjinale. Harixhofkë origjinale.


Vdjerrë e ligësht a nepërkë, ashtu si ua ka qejfi të rejave moderne sot të quajnë mamatë e burrave, origjinale.


Ku e kishte Hajria haberin e veshjeve në mode. E koktejeve publike. A dasmave me porosi, të premten tek xhamllëku me farefisin. Të shtunën me shoqërinë tek Rogneri.


Hë e dini dasmën e Hajries? As mos e çoni nëpër mend. Kush është ajo, Bes Kallaku.? Hajria ishte aq, rrogën e pesëmbëdhjetëditëshit. Pensionin sa për hape. Nuk e dini se çfarë janë hapet.


Aspirina, paracetamol. Kurse ju filluat nga çjerrjet në fejsbuk. Humbën këtë e humbëm atë. Humbje e madhe e artit. Filluat nga pëllitjet kolektive. Në një garë kolektive.


E kthyet me qejf Teatrin Kombëtar në teatër të shoqërisë, të pika eksperimenteve tuaja, tani e qani Hajrien. Lëreni Hajrien në prehjen e saj, se, ia shpifët së shkretës.


Nuk mbeti këmbë ministri, qeveritari, partiaku pa postuar këtë e atë. Këtë e atë gjoja dhimbje, megjithëse nga ata tjetër nuk kanë asnjë politikë referuese a vepruese për kurimin a kujdesin e rasteve të tilla. Se shkollës së artit të Hajries ia bënë në kokë me karkalecat e skenës eksperimentale. Dhe ato pak thërrime që hedhin gjoja për investim, ua japin shokëve, dhëndurëve, kunetërve. Ose i tregtojnë me përqindje interesi etj. Hajria një copë provinciale. ishte.


 


*Shkruar në trysninë e Hurrican-it Irma