Mendohesha t'u vendosja një emër më kumbues këtyre rreshtave, duke kujtuar ngjarjet nëpër të cilat kemi kaluar nga njëri dhjetor në tjetrin, në këto vite të pambarimta të kaosit dhe dekadencës sonë social-politike. I vetmi titull që më erdhi në mend, vendosmërisht, ishte i lidhur me filmin e famshëm për fëmijë ku macja dhe miu, Tomi dhe Xherri, të cilët prej mijëra episodesh ia nxijnë jetën shoku-shokut, futen në aventura të rrezikshme, prishin dhe shkatërrojnë gjithçka vlerësojnë si pengesë ose mjet lufte të kundërshtarit, qëllohen me tiganë, sëpata, çekiçë, qëllohen me predha, me plumba, me artileri të rëndë, e vazhdojnë luftën pa kompromis edhe në fund të detit, edhe në Mars, edhe në Hënë. E kapin armikun në gjumë dhe i presin hundën, gishtin ose i shpojnë veshët, e lyejnë krejt me të bardhë, ose me të zezë, duke ia hedhur kresë krejt fuçinë me bojë a mbetje të lëngshme që gjejnë aty pranë. Me këtë hyrje të gjatë kartonash vizatimorë nuk aludoj për përleshjet dhe përqafimet e dy personazheve më problematikë të këtyre viteve, për Nanon dhe Berishën. Krahasimi me macen dhe miun mund t'i shkojë më shumë marrëdhënieve tona si shoqëri me historinë, herë e vëmë poshtë këmbëve dhe dalim mbi të si heronj, si pishtarë, si martirë, si të vetmit që mund të bëjmë çfarë është e mirë dhe e domosdoshme për sot e përgjithmonë dhe herë të tjera, historia na flak tej me përbuzje, me gjithë meritat dhe pseudolavditë tona: e shohim veten si popull pa mision, pa të ardhme, pa energji për të mbijetuar në një botë konkuruese ekonomike, pa dëshirë për të jetuar normalisht, pa nervin e duhur për të lakmuar për të jetuar me ato cilësi dhe shërbime që karakterizojnë bashkëkohësinë. Pjesë e këtyre kreshpëzimeve të vrullshme e kapriçoze të historisë sonë, ku lavdia dhe turpi jepen, dherdhen pa racion, janë edhe ringjalljet e çuditshme të heronjve tanë të sakrifikuar një herë, jo me humbje jete por në planin politik e moral, për çështjen e madhe. E kjo çështje "e madhe" është finalizuar në përfundim të mandatit katërvjeçar, në një rrënojë sociale dhe ekonomike, që i lihet drejtuesit pasardhës ta trashëgojë deri në zgjedhjet e ardhshme, ku do ta akuzojë sa për të bërë adetin, në radhë të parë pse ka vjedhur pa skrupull, pse s'ka bërë asnjë metër rrugë, pse s'ka drita, ngrohje, punësim etj. Në fakt, akuza në lumin propagandistik të fushatave zgjedhore dhe të ngacmimeve brenda gjinisë në Kuvend, mund të përblidhej në një fjali të vetme: Zotërinj, pse veproni me pushtetin njësoj si vepruam ne!?
Duke menduar për dhjetorin e parë, ku kam qënë student, korist dhe jo solist në koncertin festiv antikomunist, duke krahasuar kujtimet e mia, me ato histori dhe variante marketingu që japin mediat, duke anuar nga njëri apo tjetri prej tenorëve të ngjirur të politikës mendoj se askush nuk e mban dot të mbyllur në pëllëmbën e tij hermetike, sekretin e pluralizmit në Shqipëri, sikurse thuhet se Alia i di të gjitha, por është betuar të mos tregojë. Përtej zgjidhjes së kësaj kriptograme policore shfaqet pjesa e dukshme e gjërave, e cila mjafton për të akuzuar shkaktarët, timonierët; mjafton për të urryer ata që na sollën deri në këtë pikë, mjafton për të përçmuar gjithë ata liderë, që dështimet fatale të vendit të tyre i numërojnë si suksese personale, si eksperiencë pune, si kontribute për të cilat ia vlen të mbretërojnë. Me inversion të fjalë për fjalëshëm të deklaratave të tyre mburrëse mund të pyesim: Mos ishte pikërisht ky misioni i tyre historik?!
Disa 500 milionë dollarëshe në vit, fluturojnë në ajër për drita, telefona, celularë dhe gjeneratorë. Miliona të tjera nga taksat tona përfundojnë në xhepat e drejtorëve, duke bërë rrugën e besdisshme, formale për ta, të aplikimit me projekte tenderash, duke nxjerrë me 20 përqindëshin e përfolur fondin nga ministria, duke blerë super-revizorin, duke mbyllur dosjen e investimit, pa bërë asnjë qindarkë punë në objektin e inaguruar ditën e parë (dhe e fundit, në fakt) të punës.
Fatkeqësitë e mëdha janë monotone, thotë një shkrimtar i shquar perëndimor. Megjithatë, brenda kësaj monotonie funebre dallon disa ndryshime. Në vitet '91-'92, të djathtët dhe në '95- '96, të majtët, (pa mbërritur ende te përleshja e armatosur e '97-ës), pra palët e interesuara për pushtet kryen rregullin formal të lojës politike: me njerëz karizmatikë, me oratorë, me argumenta dhe fakte të forta dhe bindëse, në adresë të palës kundërshtare, provuan të marrin në dorë gjithë jetën e vendit, duke lidhur fort kreun e partisë përkatëse me bazën e saj dhe me shtresa të gjera të popullsisë në përgjithësi. Duke filluar që nga viti '97, ballafaqimet elektorale janë zvendësuar me ca lista të xhepit të pasëm të pantallonave të liderit dhe me llogari selish e motelesh, në disa dhjetëra metra katrorë të qendrës së Tiranës. Asnjë shqetësim i qytetarit të zakonshëm nuk reflekton në qendrat e politikës së madhe, në kryeqytet, ku janë selitë e udhëheqësve tanë. Kjo nuk vjen ngaqë politika jonë është bërë më profesioniste, më elitare, më e kultivuar, por, për garanci vetjake dhe pushtet të komanduar me telekomandë, me uthull e me mjaltë, nëpërmjet dosjesh të periudhës moniste e llogarish të fshehta bankare, të fazës pluraliste. Pra, koncepti aq i thjeshtë për demokraci të llojit perëndimor është banalizuar. Vështirë se kemi pluralizëm politik, ku shprehen e testohen ndershmërisht të gjithë faktorët e shtresat shoqërore; në vend të tij, kemi monizëm drejtues me një pluralitet kabinetesh qeveritarë. Mbase kjo ka sjellë ankthin, oreksin dhe garancinë, që një periudhë zotërimi e zyrës shtetërore të çmohet si afat për të siguruar pozita të përjetshme ekonomike, rezerva të mëdha monetare për vete dhe disa thërrime për formacionin që të ka emëruar aty, përndryshe, në ferr, ta dhamë një herë dorën.
Në mënyrë shqetësuese ka ndodhur që perimetri i interesave të individëve, pavarësisht origjinës dhe idealeve fillestare të tyre vjen duke u zvogëluar dhe, pasi kryen xhiron e plotë të konsumimit e të kriminalizimit të gjithanshëm, pa u goditur aspak nga drejtësia e organet shtetërore të kontrollit, riciklohet sërish si vlerë pozitive, për hir të së shkuarës së afërt. Në vendet me demokraci reale, edhe pse mund ta kesh themeluar një formacion politik, për një gafë të vogël digjesh, dorëhiqesh. Edhe kur ke sukses, por jo në përqindjet e premtuara, përsëri paraqitesh si humbës dhe mban përgjegjësi. Kurse këtu, humbjet e njëpasnjëshme, dalja në kreun e vendeve më të korruptuara të botës, iu jep dorë udhëheqësve që të thonë se janë të suksesshëm. Po, ia kanë arritur qëllimit.
Dokumentarët dhe intervistat, ku më të shumtat vijnë nga duar kurtizanësh të sprovuar e grupe interesi pranë pushtetit, përpiqen që të japin më shumë dritë ose më shumë hije për ngjarjet e dhjetorit sesa ka pasur realisht. Megjithatë këtë stinë aktive karnavalesh, s'ka buzëqeshje njerëzore, s'ka gëzim, por mjerim. Basti për lavdi historike të atyre që mbushin ekranet televizive është humbur me kohë. Ka mbetur vetëm pushteti absolut, si afat për të siguruar tagji për disa breza të familjes, pasuri për disa kontigjente besnikësh që, me gjithë përkushtimin vullnetar idealist, duan ta paguhen e të shpërblehen materialisht, rregullisht. Dhe, sigurisht, në anën tjetër të medaljes negativi: varfëri ekstreme, demoralizim e tallje, për të gjithë ne që fati dhe historia na vërtisin në kacafytje tragjiko-komike, si në filmat vizatimorë me mace dhe minj.