Peshëngritësja shqiptare Romela Begaj u zgjodh sportistja shqiptare më e mirë e vitit. Një muaj i tërë votimesh në faqen zyrtare të Top Channel dhe fluksi aspak i zakonshëm i vizitave në sondazhin tradicional të fundvitit, vlerësuan kampionen e botës më lart se të gjithë pretendentët e tjerë.


Romela Begaj shkëlqeu në Botërorin e Anahajmit në Kaliforni, duke fituatr titullin në shkëputje, ndërsa doli nënkampione në dygarësh. Ky ishte dhe rezultati më i mirë i marrë ndonjëherë nga një peshëngritës kuqezi.


Por, kishte jo pak rivalitet për fronin e më të mirit në anketën e Top Channel. Begaj arriti të marrë numrin më të madh të votuesve nga shqiptarët anembanë globit, por në jo pak raste shtangistja u kërcënua nga portieri i Lazios, Tomas Strakosha. Paraqitjet e tij të mira me kombëtaren dhe Lazion jo më kot e kanë kthyer në objektivin e shumë gjigantëve kontinentalë.


Mijëra votues në sondazhin e Top Channel zgjodhën në shkallën më të ulët të podiumit peshëngritësin Briken Çalja, i cili gjithashtu bëri një paraqitje të mirë në Botërorin amerikan, duke marrë vendin e katërt në dygarësh.


Izmir Smajlaj pushtoi pistën në Beograd në garën e kërcimit së gjati, por kampioni i Europës nuk hyri mes 3 preferencave kryesore të tifozëve shqiptarë. Në 10 vendet e para ka një dominim të lehtë të futbollit, me Hysajn, Sadikun dhe Orges Shehin.


30 dhjetor 2017 (gazeta-Shqip.com)