Top Music Awards (2)“Top Awards” do të organizojë një party gjigande më 26 maj, te “Follie” ku do të bëhen të ditura të gjithë emrat e këngëtarëve e grupeve që do përfaqësojnë 12 çmimet


Teksa mbrëmja e madhe e 24 qershorit po afron, ku Pallati i Kongreseve pritet të shndërrohet në një arenë të muzikës së vërtetë shqiptare, “Top Awards” vazhdon të ofrojë detaje për publikun. Për të bërë prezantimin e këngëtarëve që garojnë në secilën prej kategorive, “Top Awards” do të organizojë një party gjigande më 26 maj, te “Follie”. Aty do jenë të ftuar shumë artistë, gazetarë, njerëz të lidhur me artin. Në këtë mbrëmje do të bëhen të ditur të gjithë emrat e këngëtarëve e grupeve që do përfaqësojnë 12 çmimet. Nuk do të mungojë tapeti VIP, ku do të kalojnë për të bërë foto të gjithë të ftuarit e mbrëmjes. Grupi i punës i ngritur për këtë event është duke punuar që gjithçka të jetë e paharruar nga nata ku përveç çmimeve e të ftuarve nuk do mungojnë dhe performancat artistike të artistëve më në zë të trevave shqipfolëse. Vetëm pak kohë më parë “Top Awards” bëri publike emrat e 12 çmimeve sipas kategorive që janë: Female artist of the year, Male artist of the year, Group of the year, Viewers choise, Video of the year, Avantgarde of the year, Song of the year, Tar hit of the year, My music hit of the year, Collaboration of the year, Achievement award, Artist to watch. Tashmë mes artistëve kanë nisur ethet për këto çmime, që janë dhe një trofe për karrierën e tyre muzikore. Çmimet në këtë event janë për artistët që kanë prodhuar muzikë gjatë vitit 2015-2016. “Top Awards” synon të kthehet në një suport për muzikën e vërtetë bashkëkohore shqiptare dhe një arenë e cila u takon më të mirëve në muzikë. Producentja e këtij eventi të madh muzikor është Lori Hoxha, ndërsa autor dhe moderator Ledion Liço.