Top Story, duke biseduar me qytetarët zbulon se kabllor JUDI bashkëpunon edhe me disa subjekte të tjera, të cilat e ushtrojnë aktivitetin e tyre në fshatrat e Lushnjes.



Një rast i tillë paraqitej në fshatin Plug. Aty gjendet një platformë kabllore funksionale dhe që piratonte kanale të platformës Digialb. Gjithashtu, Top Story evidentoi edhe shtëpinë ku ishte vendosur serveri i këtij kabllori. Shtëpia është në pronësi të Met Salliut.


Por, ngjitur me një vilë të madhe ndodhet edhe një shtëpi e rrënuar totalisht. Ajo i përket shtetasit Halim Hoxha. Ky i varfër është abonent në kabllorin e fqinjit të tij të pasur, e çdo muaj i paguan atij 6.000 lekë të vjetra për kabllorin.


Libreza është e plotësuar dhe e firmosur në emrin Met Salliu. Një dramë e vërtetë sociale. Një pirat televiziv, që pasurohet me paratë e fqinjëve të tij të varfër.


Ne kemi kabllor. Paguajmë 6.000 lekë në muaj. Kemi 5-6 vite që marrim me kabllor. Emri i firmës është Met Salliu. Nuk i kemi thënë fare ne atij. Ato që i zë, i zë; ato që nuk i zë, nuk i zë. Edhe po të fusë më pak kanale, ne po njësoj paguajmë lekët. Jemi pa kontratë, thotë banori Halim Hoxha në fshatin Plug.


Në këtë fshat, lista e kanaleve është identike me listën e kabllor JUDI-t në qytetin e Lushnjes. Kjo do të thotë se këtu vjen i njëjti sinjal dhe kemi të bëjmë me të njëjtën kompani. Pra, kabllor JUDI ka bërë të vetët edhe subjekte të tjera, duke e shtrirë piraterinë e tij televizive jashtë qytetit të Lushnjes.