Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj ishte i ftuari ditën e sotme në Top Talk, të drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja, ku ka folur mbi nismën e PD-së për sekuestron e kompanive me kontrata korruptive.


Fillimisht, deputeti demokrat shpjegoi ndryshimin midis sipërmarrësve dhe oligarkëve: Para se të bëheshin palë me qeverinë, mund të kenë qenë sipërmarrës, por kur përfitojnë tendera dhe koncesione pa garë, thjesht se ashtu ka vendosur kryeministri, automatikisht ata bëhen oligarkë.


Shehaj shtoi se PD-ja po denoncon oligarkët pa pasur prova pasi nuk janë të nevojshme provat: Ne shikojmë si është fituar koncesioni, sa është përfitimi i koncesionarit dhe kaq është mëse e mjaftueshme. Nuk mund ti themi elektoratit që po presim prokurorinë e gjykatën të vërtetojë akuzat.


Kur u pyet nëse ka pasur oligarkë në periudhën e qeverisjes së demokratëve, Shehaj u përgjigj: Lulzim Basha ka propozuar një platformë të qartë që përfshin koncesionet e dhëna edhe nga koha e qeverisjes së mëparshme.


Deputeti shtoi në studion e emisionit Top Talk se korrupsioni nuk mund të zhduket, por mund të ulet: Korrupsion ka kudo dhe ne nuk themi që do ta zhdukim, por do ta luftojmë e do ta ulim. Duhet të shohim se si e gjeti Shqipërinë Edi Rama dhe se si është ajo sot. Të gjithë treguesit janë përkeqësuar. Aplikimet për Lotarinë Amerikane në vitin 2013 kanë qenë 140 000, ndërsa vitin e kaluar kanë qenë mbi 400 000 aplikime. Ky është tregues.


Nëse shoh një ministër me rrogë 2 milionë lekë dhe del me makinë 200 000 euro, nuk ka nevojë për prova të tjera. Kështu mendojnë edhe të gjithë shqiptarët, nënvizoi Shehaj.


25 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)