Presidenti i Republikës, Bamir Topi flet për raportet e tij me Partinë Demokratike, bojkotin e opozitës, zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit, si dhe çështjen "Mediu"





TIRANË - Edhe pse thekson se dita e zgjedhjeve të 28 qershorit duhet të kujtohet si një dite mjaft e qetë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, shpreh rezervat e tij lidhur me një proces tjetër po aq të rëndësishëm zgjedhor, atë të numërimit. Në një intervistë për emisionin "5 pyetje nga Babaramo", Kreu i Shtetit ka mbështetur plotësisht raportin e OSBE/ODIHR-it lidhur me ecurinë e procesit të numërimit. "Dita e zgjedhjeve ishte një ditë, sikurse e thashë, për t'u vlerësuar. Problemet filluan tek numërimi. Tek numërimi, dhe jo në përgjithësi, por në momente të veçanta, këtë e shprehën edhe ekspertët ndërkombëtarë, e unë nuk do të bëja gjë tjetër, vetëm do të rivlerësoja të njëjtin qëndrim që ata kanë, dhe unë mendoj se ende në Shqipëri ka nevojë që të punohet shumë nga klasa politike, por edhe nga ata që e përbëjnë infrastrukturën zgjedhore, sepse nuk mjafton vullneti politik në disa raste, pasi mund ta kesh vullnetin politik, mund të marrësh vendime shumë të guximshme politike, por pastaj është çështje implementimi", - tha Topi. Presidenti i Republikës nuk iu përgjigj pyetjes nëse këto zgjedhje mund të konsideroheshin të lira dhe të ndershme, pasi, sipas tij, Presidenti nuk mund të japë asnjë lloj verdikti për zgjedhjet. "Kjo është arsyeja që partitë politike dhe i bënë ndryshimet e Kushtetutës. Në përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nuk e panë të arsyeshme që të kishte edhe një përfaqësues të Presidentit të Republikës, çka do të thotë që e profilizuan Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në mënyrë politike, partiake. Ky është një element, se pse Presidenti nuk mund të certifikojë zgjedhjet, pasi është Komisioni Zgjedhor i Zgjedhjeve ai që bën certifikimin e zgjedhjeve",- sqaroi ai.

Raporti me PD-në

Gjatë intervistës së dhënë, Presidenti i Republikës, i pyetur mbi raportet e tij me PD-në, ka lënë të kuptohet qartë se në marrëdhëniet e tij me partinë në pushtet ka pasur edhe sezon ngricash. "Unë nuk mendoj të ketë ngrica, aq më shumë që ende jemi në muajin shtator dhe nuk ka ardhur sezoni i ngricave; ka kaluar një sezon ngricash, mund të ketë prapë sezon ngricash, ndoshta do të jetë një dimër i butë, por gjithsesi, në të katër stinët në Shqipëri jetohet shumë mirë", - tha ai.

Opozita

Presidenti i Republikës ka theksuar sërish se vendi i opozitës duhet të jenë në Kuvend.

"E kam thënë dhe vazhdoj ta them që vendi i politikanit të zgjedhur nga elektorati është në Parlament. Aty është mundësia për t'u shprehur për kontestimin, aty është mundësia për të bërë edhe objeksionet. Aty është mundësia për të debatuar, për të aprovuar ligje të rëndësishme, tek e fundit, përgjegjësia është ekskluzivisht e politikanit. Ata menduan të ndryshonin sistemin, ata vendosën që në KQZ të kenë projeksionin politik partiak, ata vendosën që komisionet zonale dhe komisionet e drejtpërdrejta në kutinë e votimit të jenë të projektuara në partitë politike, çka do të thotë që është tërësisht ekskluzivitet dhe përgjegjësi e partive politike, të cilat e zhvilluan dhe e numëruan procesin si të tillë",- tha Topi. I pyetur nëse Kuvendi mund të merrte një vendim për hetimin e kutive të votimit, Presidenti tha se sot partitë politike kanë mandatin për të vazhduar punën në Parlament, për të gjetur mekanizma, për të debatuar dhe për të dhënë zgjidhjet e duhura.

Mediu

Një ndër çështjet ku Presidenti u ndal jo pak gjatë intervistës së tij, ishte edhe çështja "Mediu". Kreu i Shteti përsëriti se ai ka zbatuar vetëm Kushtetutën duke dekretuar Mediun si ministër, ndërkohë që ka kujtuar ndër të tjera se përgjegjësinë e plotë për Gjykatën e Lartë e ka Kuvendi. "Gjykata e Lartë me të vërtetë ka një lidhje që i jep Kushtetuta dhe ligji me Presidentin, kur bëhet emërimi, por aprovimi i të gjithë kandidaturave që shkojnë në Gjykatën e Lartë bëhet nga Parlamenti. Kjo është arsyeja që Kushtetuta e ka dhënë në mënyrë shumë të qartë që nominimin e bën Presidenti, ndërsa provën e vërtetë për ta marrë mundësinë të shkojë në Gjykatën e Lartë e ka Parlamenti. Ju e dini që ka precedentë që pesë anëtarë të Gjykatës së Lartë, në etapën e parë kur u propozuan nga Presidenti u rrëzuan, çka do të thotë që përgjegjësia për të certifikuar moralisht dhe profesionalisht, sigurisht bëhet nga Parlamenti. Vërtet hallka e parë e verifikimit, e ekstraktimit të figurave që pritet të shkojnë në Gjykatën e Lartë bëhet nga Presidenti, por certifikimi përfundimtar bëhet në Parlament", - tha Topi. Presidenti i Republikës është pyetur nëse është i kënaqur me punën e Prokurores së Përgjithshme pas dështimit me çështjen "Mediu", "Durrës-Kukës" apo çështjen "Fazlliç". "Ju nuk mund të merrni një përgjigje me "po" apo "jo", sepse ka mjaft elementë ku unë jam i kënaqur, por ka elementë ku unë ndihem i pakënaqur. Kjo është si çështja e leximit të zgjedhjeve; ju e kërkoni bardhezi, në një kohë që kuadri është me ngjyra",- u përgjigj Topi.