TIRANË- Kreu i shtetit, Bamir Topi ka bërë apel për fushatë të matur, në shërbim të qytetarëve dhe larg sjelljeve dhe fjalorit të papërshtatshëm. Duke e cilësuar 8 majin, një ditë feste dhe absolutisht jo si një ditë, ku partitë politike apo militantët të demonstrojnë një fjalor, i cili nuk i shkon për shtat pikërisht këtij konteksti, Topi ka kërkuar sjellje qytetare si nga partitë, ashtu edhe nga simpatizantët. Deklarata vjen në përgjigje të interesimit të medias për incidentet e fundit që kanë shoqëruar situatën parazgjedhore.


Të futemi në fushatën zyrtare zgjedhore me një sjellje qytetare, me një sjellje që ti ngjajë politikës së vendeve evropiane, ku ne dëshirojmë të aderojmë! Të futemi me alternativa konkrete ku partitë politike të marrin në dorë realisht fushatën politike për ta bërë atë qytetare, në shërbim të qytetarit, sepse janë zgjedhje administrative, të cilat duhet të jenë zgjedhje në radhë të parë në shërbim të qytetarit, për gjëra konkrete!- ka thënë Topi.


Predisenti ka përsëritur faktin se zgjedhjet lokale janë zgjedhje, që kanë patjetër projekte konkrete reale, ndërsa zgjedhjet politike të përgjithshme, natyrisht që kanë një politikë më të madhe, një politikë që shkon në linja të tjera. Uroj që kjo fushatë të bëhet e matur, me qytetari dhe uroj që dita e zgjedhjeve, të jetë një ditë ku të marrin pjesë shumë qytetarë të thjeshtë në këto zgjedhje, sepse padyshim do të votojnë për pushtetin e tyre- tha ai.