20/01/2009 Zhbllokohet procesi, Presidenti miraton propozimin e bërë nga Kryeministri Berisha
Presidenti Bamir Topi dekreton diplomatin Islam Lauka ambasador të Republikës së Shqipërisë në Kosovë. Në këtë mënyrë kreu i shtetit i ka dhënë miratimin propozimit të Kryeministrit Sali Berisha për kandidaturën e Laukës në më pak se një javë nga dita kur ai ka mbërritur në zyrën e Presidentit. Burime zyrtare nga Presidenca shprehen se dekretimi i Laukës është bërë në përputhje me kompetencat kushtetuese të kryetarit të shtetit. Kandidatura e diplomatit Lauka është diskutuar rreth 6 ditë më parë në Komisionin parlamentar të Politikës së Jashtme, ku është pranuar me konsensus nga deputetët e dy partive kryesore, PD dhe PS-së. Megjithëse emri i Laukës është përfolur për postin e ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë rreth një vit më parë, procedurat janë mbyllur vetëm ditët e para të muajit janar. Mungesa e ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë është rikthyer në qendër të vëmendjes së politikës shqiptare gjatë ditëve të para të vitit 2009, kur Topi zhvilloi një vizitë zyrtare në shtetin më të ri të Europës. Ndërkohë në deklaratat e tij për mediet Presidenti ka theksuar se emërimi i një ambasadori sipas Kushtetutës së Shqipërisë duhet të ndjekë disa procedura dhe disa shkallë institucionale, duke u përmbyllur me dekretin e Presidentit të Republikës. “Shqipëria duhet të përfaqësohet në Kosovë me diplomatët e saj më të mirë dhe me një ambasador të shkëlqyer”, - ka deklaruar Topi. Duket se deklaratat e bëra nga kreu i shtetit i kanë dhënë shtytje procesit të emërimit të ambasadorit shqiptar në Kosovë. Kështu, brenda pak ditësh në një mbledhje të shpejtë të komisionit të jashtëm parlamentar është zhvilluar në seancë dëgjimore me kandidatin Islam Lauka dhe më pas procesi ka vijuar me mbërritjen e propozimit në Presidencë. Gjatë periudhës së fundit nga deputetë të Kuvendit është ngritur shqetësimi i mungesës së ambasadorëve shqiptarë në disa shtete të Evropës. Por duket se caktimi i ambasadorit në Kosovë do të shërbejë si një dritë jeshile për emërimin e diplomatëve të tjerë në vende të tilla si Gjermania, ku prej gati një viti mungon përfaqësuesi diplomatik.
Islam Lauka
Në një deklaratë të para pak ditëve diplomati Lauka është shprehur se emërimi i tij si ambasador në Kosovë është një detyrë e vështirë, por edhe një privilegj. Lauka ka thënë se do të ndihmonte Kosovën në objektivat e saj të parë për sigurimin e një numri sa më të madh shtetesh që do ta njohin, si dhe për anëtarësimin e saj me të drejta të plota në OKB, OSBE etj.