TIRANE-Presidenti i Republikës, Bamir Topi nderoi Komunën e Barit me "Medaljen e Mirënjohjes" me motivacion: "Me mirënjohje të thellë Komunës së Barit dhe gjithë popullit të Rajonit të Puljas, për solidaritetin e rrallë dhe përkrahjen e pakufishme që i dhanë në momente të vështira dhe dramatike, 20 vjet më parë, mijëra qytetarëve shqiptarë që mbërritën në Portin e Barit, në kërkim të një jete më të mirë."

“Nuk e kemi harruar kurrë atë që bëtë për ne”, u shpreh gjithë emocion Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bamir Topi duke shtuar se “emocionet ndjehen edhe pas 20 vjetësh”, ky është motivi, tha ai, që shqiptarët nderojnë me Medaljen e Mirënjohjes, qytetarët e Barit.

Në takimin e zhvilluar me Kryebashkiakun Emiliano dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak të Barit, Presidenti Topi i kushtoi një rëndësi të veçantë faktit se një ndër pikat kryesore të lidhjeve historike të Shqipërisë me Italinë është pikërisht qyteti i Barit dhe Rajoni i Puljas ku është konsoliduar një marrëdhënie e fortë tradicionale miqësie mes dy popujve, e cila kapërcen çdo kufi e paragjykim. Një vlerësim të posaçëm, Presidenti Topi e bëri për bashkësinë shqiptare që jeton në këtë qytet. Kryetari i Shtetit vuri në dukje se "ky integrim nuk do të kishte qenë i mundur pa mikpritjen dhe bujarinë e vetë qytetarëve italianë si dhe pa mbështetjen e vazhdueshme të autoriteteve italiane, të cilët iu gjendën pranë shqiptarëve në ditë të vështira të jetës së tyre, duke dëshmuar edhe një herë lidhjen e fortë tradicionale që ekziston mes dy vendeve dhe popujve tanë."

Lajmin bëri jehonë dhe në mediat italiane, ku La Repubblica cilësoi “Vendi i Shqiponjave zyrtarisht falenderoi qytetin e Barit dhe të Pulias për solidaritetin që treguan më 18 Gusht të vitit 1991 për mijëra qytetarë shqiptarë që zbarkuan nga anija ‘Vlora’ në kërkim të një jete më të mirë”.

(d.b/BalkanWeb)
Lidhje te tjera FOTO: Foto nga Takimi i Topit në Bari FOTO: 20 vjet nga eksodi i shqiptarëve në Itali