Presidenti Bamir Topi ka takuar sot kryebashkiakun e Torinos Serxho Kiamparino në Tiranë. Gjatë takimt Kiamparino theksoi rëndësinë e bashkëpunimt mes strukturave të pushtetit vendor të të dy vendeve, Shqipërisë dhe Italisë. 

TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë një takimi me Kryetarin e Bashkisë së Torinos, Serxho Kiamparino u shpreh për nxitjen e bashkëpunimit mes pushtetit vendor në Shqipëri dhe strukturave homologe në Itali. Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, Kreu i shtetit pasi vlerësoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë, nënvizoi rëndësinë e veçantë që mbart bashkëpunimi mes pushteteve vendore dhe strukturave përkatëse të tij. Ai vuri në dukje se përvoja e autoriteteve vendore të një rajoni kaq të zhvilluar si Piemonti, është një referencë pozitive, me interes dhe një kontribut e ndihmesë për strukturat e pushtetit tonë vendor në ushtrimin e kompetencave të tyre dhe realizimin e reformave të rëndësishme.
Presidenti Topi u ndal dhe në rëndësinë e zbatimit të planeve konkrete të bashkëpunimit në fusha të caktuara ku nënvizoi angazhimin e tij për nxitjen e bashkëpunimit të mëtejshëm midis Universiteteve Politeknik dhe atij të Studimeve të Torinos dhe Universitetit të Tiranës, Fakulteteve të Mjekësisë Veterinare të Torinos dhe atij të Kamzës. Në vijim të bisedës, Kryetari i shtetit vuri në dukje edhe një herë mundësitë e mëdha që ofron Shqipëria për bizneset prestigjioze të huaja, ndërkohë që për investitorët italianë ajo ofron një seri faktorësh nxitës e tërheqës siç janë: afërsia gjeografike, ajo shpirtërore, ekzistenca e një bashkësie të shumtë, të konsoliduar dhe plotësisht të integruar shqiptare në Itali dhe sidomos në Piemont, kuadri ligjor favorizues, politikat lehtësuese fiskale, etj.
(m.a/BalkabnWeb)