Titulli


totozani2Instituti i Kulturës Rome i dorëzoi dje Avokatit të Popullit, Igli Totozani, titullin Romanipe Honoris Causa, duke e njohur atë si një anëtar nderi të komunitetit rom dhe si Amaro Avokat I Ko Sundal (Avokati ynë në botë) për vlerësimin e pamasë dhe mbështetjen e ndier me zemër ndaj popullit rom. Titulli është dorëzuar nga drejtori ekzekutiv i Institutit të Kulturës Rome IRCA, Bledar Taho, gjatë një ceremonie të zhvilluar në ambientet e Avokatit të Popullit, ku ishin të pranishëm përfaqësues të komunitetit rom, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Florian Rauning, përfaqësues të shoqërisë civile etj.


Instituti i Kulturës Rome ka vlerësuar aktivitetin dhe kontributin e Avokatit të Popullit, Igli Totozani, jo vetëm për sensibilizimin e çështjes rome, por edhe për nismat institucionale për të rekomanduar dhe hartuar amendamente ligjore që kontribuojnë në zgjidhjen e problemeve të këtij komuniteti, si regjistrimi, ndihma ekonomike, transferimi i vendbanimeve dhe strehimi social. I emocionuar për këtë titull mirënjohjeje dhe respekti, Avokati i Popullit tha: Çështja rome është një nga temat më të dashura për mua dhe se ky titull është një inkurajim dhe shtysë më tepër për të vazhduar përpara në zgjidhjen e problemeve dhe shqetësimeve të komunitetit rom. Kemi zgjuar shpresën dhe optimizmin, por mbetet ende shumë për të bërë në zgjidhjen e problemeve të komunitetit rom.


Ky shkrim Totozani, anëtar nderi i komunitetit rom u publikua me pare te Gazeta SHQIP.