Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla bëri me dije se depozitoi sot në prokurori fakte të reja ndaj Lulzim Bashës. Në një postim në rrjetin social Facebook, Balla shprehet se akuzat e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha ndaj tij janë shpifje.


Në vijim të transparencës dhe ndershmërisë përballë opinionit publik, sapo kemi depozituar në Prokurorinë e Tiranës parashtrime dhe fakte të reja, në plotësim të Kallzimit Penal datë 27.06.2018, ndaj personit të kallëzuar Lulzim Basha për disa vepra penale.


Jemi të bindur se këto hapa ligjorë do të zbardhin shpifjet dhe ofendimet e turpshme të esadistit Lulzim Basha, ndaj meje dhe ndaj gjithë grupit tim parlamentar. Në fund të këtij procesi drejtësie ky gojë përdalë do të marrë një dënim shembullor, shkruan ai.


Balla akuzon kryetarin e PD-së Lulzim Basha si të lidhur me autorët e krimit.


Nuk kam asnjë dyshim që afera e transportit të eurove të sekuestruara do të zbardhet plotësisht me kapjen e autorëve në kërkim (me të cilët lidhja e PD është organike, ndërsa e Lulzim Bashës me ta është sa afër në provën fotografike, aq edhe thellë në njohje të vjetra politike dhe personale), theksoi Balla.


Po ashtu, Balla shprehet se jemi të vendosur që me Lulzim Bashën dhe esadistët e tij të ndjekim gjithnjë e më shume rrugën gjyqësore të përballjes me shpifjet e ndyra e me gënjeshtrat ofenduese të tyre. Ata tanimë duhet ti mesojmë të sjellin prova para publikut, të turpërohen sic e meritojnë në sallat e gjyqeve dhe të procedohen penalisht kur shkelin ligjin, thuhet në postimin e tij.


11 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)