Radhë kilometrike u krijuan të shtunën në mëngjes në hyrje të kufirit shqiptar në Kakavijë. Turistë dhe emigrantë që hynin në Shqipëri qëndronin në pritje me orë.



Radhë u krijuan edhe pasditen e së dielës në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit. Rreshti i gjatë disa kilometra është krijuar me mjetet e emigrantëve që po kthehen në vendet e tyre pas pushimeve në Shqipëri.


Mes tyre ka edhe shumë turistë të huaj.


Pamjet me radhë të gjata shihen në mënyrë të vazhdueshme pothuajse në të gjitha pikat e kalimit kufitar ku lëvizin turistët. Në Kukës, në Shkodër, në Kapshticë, Kakavijë, por edhe në Qafë-Botë.



Ndërkohë, fundjava është kthyer në problem për shqiptarët dhe të huajt që kanë ardhur për turizëm. Pasditja e çdo të diele në këtë sezon veror është momenti kur në aksin veror Levan-Fier krijohen radhë të gjata me automjete.



Kjo pjesë rruge, pak kilometra e gjatë, përshkohet me vështirësi për orë të tëra.


Artur Sulçe, ekspert për sigurinë rrugore, deklaroi në studion e lajmeve të Top Channel: Bypass-i është nisur dhe është lënë në mes dy herë. Trafiku kryesor është pjesa jugore e vendit. Kjo rrugë nuk ka vetëm bypass-in, por edhe 4 kryqëzime nën nivel, në rrugën interurbane kryesore nga Lushnja deri në Fier, që janë rrezik për aksidente. Mendoj se ka ardhur koha që bypass-i të fillojë menjëherë, të paktën ta kemi për vitin tjetër. Matja e trafikut dhe volumit të tij, duhet ti shërbejnë institucioneve përkatëse për ta menaxhuar trafikun në mënyrën e duhur, duke përdorur dhe vënë në përdorim edhe rrugët dytësore, të paktën për sezonin veror.


19 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)