30/03/2005  Megjithëse organi i akuzës ndryshoi kualifikimin e veprës penale, mbrojtja përsëri mbeti e pakënaqur. Në seancën e djeshme, katër avokatët e të pandehurve Besim Metani, Sofie Kadriu, Besim Çoko dhe Musa Sina, kërkuan pafajësi dhe heqjen e gjobës për secilin. Mbrojtja në konkluzionet e fundit i kërkoi gjykatës të marrë parasysh faktin se, të pandehurit nuk kanë trafikuar fëmijë, por kanë plotësuar dëshirën e familjarëve të tyre për t'i dërguar në Itali, kundrejt një shpërblimi. Këtë gjë gjithkush do ta bënte, thanë avokatët, duke kujtuar gjendjen e rëndë ekonomike të familjarëve. Më tej, mbrojtja saktësoi se disa nga fëmijët e dërguar në Itali janë bashkuar me familjarët e tyre. Për të pandehurit, akuza kërkoi dënimin me burg dhe një gjobë. Po kështu pronat se secilit të pandehur, sipas akuzës, duhet t'i kalojnë në pronësi shtetit. Besim Metani duhet të dënohet 10 vjet burg dhe 2 milionë lekë gjobë; Sofokli Coko, 8 vjet dhe 1.5 milionë lekë gjobë; Musa Sina, 9 vjet dhe 1.2 milionë lekë gjobë dhe Sofie Kadriu 7 vjet dhe 1 milion lekë gjobë. Vepra, sipas akuzës, është kryer në bashkëpunim. Të pandehurit, tha prokurori, kanë kaluar në drejtim të Italisë nga viti 1998 deri në vitin 2002 rreth 60 fëmijë nën moshën 18 vjeç. Shumica e fëmijëve kanë qenë meshkuj rreth 17-18 vjeç. Ndërsa një pjesë e fëmijëve është vërtetuar se janë bashkuar me familjet, një numër i madh prej tyre ende nuk kanë adresë. Edhe të pandehurit nuk kanë dhënë emra të saktë të fëmijëve, me qëllim gjetjen e tyre. Për secilin nga fëmijët e kaluar për në Itali me ndihmën e të pandehurve, është paguar një shumë që shkon nga 200 mijë lekë të reja deri në 250 mijë. Paratë, pasi merreshin nga të pandehurit ndaheshin mes tyre, pasi gjithçka ishte e organizuar dhe kryhej në bashkëpunim.