19/05/2010 Masë e re për anëtarin e Bandës së Durrësit
TIRANË- Endrit Dokle ishte përgatitur që shumë shpejt të përfundonte gjyqin si i pandehur në grupin e Durrësit dhe të merrte dënimin duke pretenduar për pafajësi. Por dje ndodhi ndryshe. Prokuroria kërkoi masë të re arresti me burg. Kjo për një akuzë te re që ka lidhje me trafikun e drogës. Akuzohet si organizator i këtij trafiku nëpërmjet aparatit celular nga qelitë e burgut. Përgjimet e kanë cilësuar Endrit Doklen një nga kokat e trafikut nga burgu, ndërsa mbante lidhje të vazhdueshme me kunatin e tij Isuf Buna, edhe ky pjesëtar i rrjetit i dërguar në burg qysh në datë 16 maj me vendim gjykate. Vlerësimi i arrestit nga ana e gjykatës u cilësua i drejtë. Po kështu e drejtë u quajt edhe kërkesa prokurorit Besnik Muçi për masën e arrestit me burg. Ndërkohë që para gjyqtares Flora Hajredinaj u vu një nga provat më të besueshme për akuzën siç janë përgjimet. Endrit Dokle, i shoqëruar nga paraburgimi “Jodan Misja 313” dhe Edmond Taullaj fillimisht kanë deklaruar gjeneralitetet e tyre përpara gjyqtares së gatshme. Ndërsa avokatët thanë se klientët që ata mbrojnë nuk kanë lidhje me trafikun e drogës, ndërkohë që prokurori i ka paraqitur gjykatës të gjitha provat që kishte në ngarkim të tyre. Në momentin që gjykata ishte duke vlerësuar masat e sigurisë, mbrojtësit e të pandehurit Endrit Dokle, kërkuan përjashtimin e gjyqtares Flora Hajderinaj, për arsye se ndodhej në trupën gjyqësore që gjykon Bandën e Durrësit. Kërkesa u shqyrtua nga gjyqtari Idriz Mulkurti, i cili e rrëzoi atë si të pabazuar në ligj. Isuf Buna, kunati i Endrit Dokles, si dhe vëllai i Kujtim Bunës, për çdo seancë të zhvilluar në Gjykatën e Krimeve të Rënda në ngarkim të 16 anëtarëve të Bandës së Durrësit, ka qenë i pranishëm, ku edhe herë pas herë në largësi komunikonte me të pandehurit, ndërsa Edmond Taullai është kushëriri i Indrit Taullait, edhe ky pjesëtar i Bandës së Durrësit. Sipas të dhënave të akuzës, grupi ka arritur të kalojë drejt Italisë një sasi prej 40 kg droge të pastër.