Kryeprokurorja Arta Marku pas Fierit, u ndal sot edhe në Vlorë, ku ka bërë analizën e prokurorisë, përfshi edhe Gjykatës së Apelit. Marku ishte e qartë në porositë drejtuar prokurorëve të Vlorës lidhur me hetimet për të çuar në pranga organizatorët dhe trafikantët e vërtetë të drogës, ndërsa nënvizoi forcimin e bashkëpunimit mes policisë dhe prokurorisë.


Vlora, tashmë prej kohësh, njihet si një vend prodhues i kanabisit, jo aq i drogave të tjera sintetike, por edhe si një vend i rëndësishëm tranziti për në vendet e Europës, specifikisht favorizuar nga linja e gjatë bregdetare. Duhet forcim i bashkëpunimit mes policisë, autoriteteve policore kufitare dhe autoriteteve doganore, me qëllim frenimin e trafikimit, identifikimin, gjetjen dhe vënien para drejtësisë të shkelësve të ligjit.


Duhet koordinim i  veprimeve mes të gjithë aktorëve në luftën kundër narkotikëve dhe shkëmbim i informacionit në kohën e duhur, me shpejtësinë dhe cilësinë e duhur mes tyre. Jo vetëm kaq duhet mos ngutje me qëllim që në rrjetën e policisë të përfundojnë peshqit e mëdhenj, organizatorët e trafikut të drogës”, u shpreh Marku.


Më tej ajo nënvizoi se veprimtaria kriminale në fushën e narkotikëve nuk zhvillohet e vetme, pa mundësinë e korruptimit edhe të zyrtarëve publikë, në hallka kyçe të strukturave të shtetit.


Kjo, duke nisur që nga përfaqësuesit e pushtetit vendor që ometojnë të sinjalizojnë kur konstatojnë mbjelljen e bimëve narkotike në territorin e njësisë administrative ashtu edhe të funksionarëve të tjerë, që mund të ofrojnë kundrejt korrupsionit, ndihmën e tyre në hallkat që përbëjnë zinxhirin e trafikimit të lëndëve narkotike. Zhvillim të hetimit duke nisur nga identifikimi i pasurisë në drejtim të gjetjes së burimit, veprimtarisë kriminale.


Sekuestrim dhe konfiskim i të mirave të personave të përfshirë në aktivitete kriminale që kanë të bëjnë me prodhimin, shitjen dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Përqendrim i burimeve njerëzore dhe teknike, specializim i tyre, përkushtim në kryerjen e detyrës, në luftë kundër narkotikëve, specifikisht në vende kufitare siç është Vlora, shtoi ajo.


Sipas Markut, Vlora karakterizohet nga falsifikimi masiv i dokumentave, për vetë pozicionin gjeografik dhe interesin e madh të tokave me destinacion turistik, me qëllim shtënien në dorë të pasurive që i përkisnin shtetit apo të tretëve.


Kjo bëhet evidente edhe ne sekuestrimet e vendosura mbi pasuri të ndryshme të paluajtshme dhe të luajtshme. Të verifikohen dhe hetohen deri në origjinë, transaksionet e kryera mbi pronat. Të zbatohen edhe në këtë drejtim sekuestrimet dhe konfiskimet përkatëse, me qëllim parandalimin e transferimit të pronave apo të të mirave të tjera të përftuara.


9 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)