Për të dytën ditë radhazi trafiku në Tiranë vijon të jetë tejet i rënduar si pasojë e bllokimit të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në pjesën para kryeministrisë. Protesta e opozitës që po zhvillohet pikërisht në këtë vend e ka futur në kaos lëvizjen e automjeteve edhe përgjatë ditës së shtunë. Ata që e vuajnë janë me qinda mijëra qytetarë të kryeqytetit të cilët po përballen me vonesa disa orëshe në trafik. Megjithë, praninë e efektivave të policisë rrugore trafiku në rrugët e kryeqytetit nuk është mundur të normalizohet, pasi Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në të cilin janë instaluar çadrat e protestuesve është njëkohëssisht arteria kryesore për qarkullimin e automjeteve në Tiranë. Në këtë mënyrë trafiku është spostuar në rrugët e tjera të qytetit të cilat nuk e kanë përballuar dot mbingarkesën. Kjo situatë ka sjellë edhe sot irritimin e qytetarëve që kanë mbetur në automjetet e tyre për orë të tëra.