21/10/2009  Prokuroria jep pretencën. Përveç dënimit fizik dhe 2,4 milionë lekë për 7 të pandehurit


GJIROKASTËR - Njëmbëdhjetë muaj pas shembjes së pallatit pesëkatësh në lagjen “11 Janari”, ku humbën jetën tre shtetas dhe ngelën të pastrehë 14 familje, Prokuroria e Gjirokastrës ka kërkuar totalisht 38 vjet heqje lirie për shtatë të akuzuarit, 2.4 milionë lekë të reja gjobë, si dhe mosushtrimin e funksioneve zyrtare për një periudhë kohe prej tre vjetësh.


Pretenca


Në seancën e 25-të gjyqësore të zhvilluar ditën e martë në Gjykatën e Shkallës së Parë në Gjirokastër, Prokuroria e Gjirokastrës me përfaqësues ligjor Alfred Saliu dhe Arben Pasho, gjatë pretencës që djeshme kanë kërkuar 21 vjet burg për Sotiraq Janorën, administratorin e firmës “Arti shpk”, për të pandehurit të tjetër Afërdita Papamihalin, ish-sekretaren e bashkisë së Gjirokastrës, Admir Shehaj, ish-inspektor në Inspektoratin e Ndërtimit në Bashkinë e Gjirokastrës, Alfred Mamani, ish-përgjegjës i Zyrës së Urbanistikës dhe Gjergji Meçi, inxhinier i firmës “Arti” ka kërkuar 3.6 vjet burg për secilin, ndërsa për dy ish-punonjës të Policisë Bashkiake, Petrit Maksuti dhe Leonard Mustafaraj, prokurorët kërkuan nga 1 vit heqje lirie. Mbi të akuzuarit e këtij procesi gjyqësor rrëndojnë akuzat e vrasjes në rrethana të cilësuara, shkatërrimit të pronës me dashje, si dhe shpërdorimit të detyrës. Nga ana e saj pala mbrojtëse, e cila gjatë gjithë procesit gjyqësor ka kërkuar shpalljen të pafajshme të shtatë të pandehurve, ka kërkuar kohë për përgatitjen e materialit përfundimtar të mbrojtjes juridike. Nga hetimet e deritanishme është arritur në përfundimin se pallati pesëkatësh i ngritur në një kodër në lagjen "11 Janari", u shemb për shkak të punimeve për ndërtimin e një godine të re, pranë tij. Seanca gjyqësore e radhës pritet të zhvillohet në datën 2 nëntor 2009.