Pas rehabilitimit, ish-fabrika e miellit në Fier u kthye në një kompleks arkitektural tërësisht në shërbim të qytetarëve, duke u tjetërsuar nga simboli i portës së industrializimit në Fier, në një godinë që ruan origjinalitetin historik dhe kulturor të qytetit dhe më gjerë.


Në një prononcim për ATSH-në, deputetja e Partisë Socialiste në Fier, Antoneta Dhima flet për këtë sukses të projekteve të Zhvillimit Urban, që e shndërroi godinën e vjetër të ish-fabrikës së miellit, në një ndër institucionet më të rëndësishme kulturore në vend.


Duke bërë një historik të kësaj godine dhe vlerave që ajo mbart, Dhima u shpreh se ish-fabrika e miellit në Fier ka marrë tashmë rolin e pazëvendësueshëm të një qendre që i jep parkut të qytetit, një dimension sa argëtues, aq edhe të mbështetur në histori dhe vlera urbanistike qytetare fierake.


E rikonstruktuar, por pa i prishur formën dhe origjinalitetit, sot këtu ndodhet Galeria e Artit Vilson Kilica, pjesë e parkut të madh të qytetit të Fierit.


Nëse më të moshuarit kujtojnë me nostalgji ish-fabrikën e miellit, sot brezat e rinj shohin një Galeri Arti bashkëkohore, një ndër më të mirat jo vetëm në rang kombëtar por edhe më gjerë, shprehet Dhima për ATSH-në.


Nga një godinë e braktisur, sot një qendër shumëfunksionale Ish-Fabrika e Miellit është vepra e parë industriale në Fier, e cila ka mbetur në këmbë edhe në ditët e sotme.


Në fakt, shprehet Dhima, kjo godinë ishte braktisur qysh nga vitet 1997, dhe ishte kthyer në një objekt grumbullimi mbetjesh të ndryshme, duke krijuar kështu një situate aspak të hijshme në qendër të qytetit të Fierit.


Projekti për kthimin e saj në një qendër shumëfunksionale, sipas saj, lindi fillimisht si një ide e kryetarit të Bashkisë, Armando Subashi.


Duke u nisur nga kjo ide ai ftoi në disa takime bashkëbiseduese dhe konsultuese, arkitektë e specialistë të urbanistikës, jo vetëm nga Fieri por edhe nga kryeqyteti.Pas shumë diskutimeve, debateve, mendimeve të specialistëve urbanistë dhe arkitekëve u vendos që ish-fabrika e miellit të mos shembet, por të rehabilitohet tërësisht dhe të jetë pjesë e ekzistencës së saj brenda projektit të Parkut Qendror të Qytetit, tha Dhima. Idea e shumëdiskutuar dhe debatuar u konkretizua në kuadrin e projektit të madh të ndërtimit të Parkut Qendror të qytetit.


Kjo gjendje, amortizimi i saj dhe vetë specifikat e projektit të ndërtimit të parkut, që kërkonte hapësirë të gërshetuar me gjelbërim dhe mjedise çlodhëse për qytetarët, sipas deputetes socialiste, nxitën dhe prodhuan ide dhe mendime të ndryshme, që shkonin deri dhe për një shembje e zhdukje nga hapësira të godinës së ish fabrikës së miellit, por që nuk ndodhi.


Projekti modern polifunksional dhe gjithëpërfshirës i Parkut të qytetit, që kap vlerën e 300 milionë lekëve të reja, sipas Dhimës, përfshin brenda tij parkun e madh urban, me gjelbërim, me zona rekreative për të gjitha grupmoshat, si dhe hapësira për artin dhe kulturën.


Pjesë e rëndësishme e tij, sipas Dhimës, është unifikimi i fasadave në katet përdhe duke i dhënë përparësi zonës së biznesit, restaurim të fasadave, rikthim të elementëve karakteristike historik dhe kulturor të qytetit, shtim të zonës së gjelbër, lirim të hapësirave publike dhe sistemim të infrastrukturës nëntokësore dhe mbitokësore.


Pak historik


Rreth 80 vite më parë, në vitin 1936, mjeshtrat e mirënjohur dibran me banim në Fier, Ago dhe Jonuz Boriçi do të vendosnin gurët e parë në themelet e fabrikës së miellit një nga gjashtë fabrikat e ndërtuara në Shqipëri.


Kjo fabrikë u ndërtua me makineri të importuara nga Gjermania dhe prodhonte miell të cilësisë së lartë. E ndërtuar në një sipërfaqe prej 2 308 m2 dhe e rrethuar në atë kohë edhe me mur me gjatësi 102 ml, ish-fabrika e miellit ishte më tepër se një simbol i urbanizimit, me arkitekturën e saj të veçantë.


Kjo godinë e ish- fabrikës se miellit u projektua nga specialistët italianë me dimensione 20 m gjatësi, 6.5 m gjerësi, 16 m lartësi dhe materialet e ndërtimit, duke përjashtuar inertet, u importuan nga Italia.


Prodhimi i miellit ambalazhohej në thasë 30 kg dhe mbante stampën LTD, ( Lidhja Tregtare e Drithit ). Prodhimet e kësaj fabrike shpërndaheshin në Shqipëri, si dhe eksportoheshin nëpërmjet skelës së Semanit në Itali dhe Greqi.


Në 15 tetor 1944 gjatë tërheqjes së tyre, në këtë fabrikë u paraqit një skuadër gjermane për ta djegur.


Më vjen keq që do ta digjni, iu drejtua atyre kryemekaniku i saj, një ish-emigrant i përpara luftës në Gjermani. Kjo fabrikë, vijoi ai, është e vetmja shenjë gjermane në këtë qytet. Kështu fabrika shpëtoi dhe është në këmbë edhe sot e kësaj dite, për të dëshmuar ktivitetin e suksesshëm të kësaj dhome tregtie.


17 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)/ATSH