zirina llambro

Përfundon me sukses transplanti i parë i veshkës në spitalin publik “Nënë Tereza”. Mjekët tanë më në fund e kaluan provën se dinë të kryejnë edhe operacione tepër të vështira. Kjo ndonëse janë asistuar gjithë kohës nga një ekip i mjekëve italianë. Ndërhyrja e djeshme, që zgjati për 5 orë me radhë, u jep shpresë dhjetëra pacientëve që veshkat i kanë jashtë funksionit. Por ajo që do të mbahet mend më shumë se ata që do vijnë pas, është 20 vjeçarja Matilda Gode nga Korça. ”Vajza ime sot rilind”. Këto ishin fjalët e babait të saj, pak minuta përpara se të futej edhe ai në sallën e operacionit. Me veshkën e dhuruar prej tij, Mitilda shumë shpejt do t’i kthehet jetës normale. Mjekët vlerësuan në përfundim se çdo gjë shkoi mbarë dhe gjendja shëndetësore e pacientes dhe dhuruesit të veshkës, babait të saj, është e mirë. “Transplanti nuk është një operacion i zakonshëm, do vëmendje të veçantë, i gjithë stafi është në gatishmëri të plotë dhe shpresojmë që ky fillim i mbarë të jetë vërtet gjysma e punës”, u shpreh shefi i klinikës së Urologjisë, Mustafa Xhani. Ai ishte pjesë e ekipit të mjekëve shqiptarë që kryen ndërhyrjen. Xhani theksoi se lista e pacientëve që kanë nevojë për transplant të veshkës tashmë ndodhet pranë Shërbimit të Nefrologjisë në QSUT dhe ndërhyrjet do të kryhen hap pas hapi. “Ne synojmë që brenda këtij viti të arrijmë të kryejmë 10 ndërhyrje të tilla, më tej numri i tyre do të shtohet më shumë”, tha Xhani. Ndërsa shefi i shërbimit të Nefrologjisë, Nestor Theresha, edhe ai pjesë e mjekëve që kryen transplantin, theksoi se tashmë Nefrologjia, Urologjia, Imunologjia shqiptare, mjekësia shqiptare në përgjithësi, kanë hyrë në Bashkimin Evropian, falë këtij projekti gjigand që u realizua në mënyrë të shkëlqyer, me një koordinim të jashtëzakonshëm.
Transplanti
Finalizimi i transplantit në vendin tonë mbyll me sukses një nga projektet më madhore të financuara nga komuniteti Evropian. Interreg 3, veç investimeve të tjera në shëndetësi, ka mundësuar ngritjen e gjithë infrastrukturës për operacionin e vështirë si dhe trajnimin e mjekëve tanë në Itali si dhe asistencën e bluzave të bardha të shtetit fqinj. “Realizimi i këtij transplanti tregon se Shqipëria po ndryshon. Tashmë jemi partnerë të besueshëm dhe do të mund të tërheqim edhe projekte të tjera të rëndësishme që do të çojnë përpara shëndetësinë shqiptare”, u shpreh Bardh Spahia - Koordinatori i programit INTERREG  III për palën shqiptare. Sipas tij, realizimi i kësaj ndërhyrje është rezultat i impenjimit të të gjitha strukturave të shëndetësisë. “Realizimi i transplantit është konkluzion i punës 2 vjeçare, pasi për realizimin e këtij projekti është ndërmarrë një punë dhe një angazhim tepër i madh”, nënvizoi Spahia. Ai shtoi se është punuar për përmirësimin e disa shërbimeve që janë në mbështetje të transplantit, ku bën pjesë laboratori, aparaturat dhe realizimi i bllokut operator të Urologjisë. “Përgjatë dy vjetëve është kryer trajnimi i plot 60 mjekëve, infermierëve dhe personeli mbështetës”, tha Spahia.
Nga ana e saj, Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo vlerësoi këtë arritje të shëndetësisë shqiptare, duke uruar që ky transplant të shoqërohet dhe nga të tjerë, pasi, siç theksoi ajo, lista e atyre që presin është e gjatë. “Gjatë muajve nëntor-dhjetor të vitit të kaluar është dhënë një fond nga qeveria, që një numër transplantesh të bëhej në spitalin Amerikan të Tiranës, në një marrëveshje mes sektorit publik dhe privat. Tani, kjo ndërhyrje mund të bëhet edhe në shërbimin publik”, tha Godo pasi vizitoi pacienten 20-vjeçare. Ministrja vlerësoi impenjimin e veçantë të profesorëve të rajonit të Puglias (Itali), por edhe ekipin e mjekët shqiptarëve të Urologjisë, të drejtuar nga profesor Mustafa Xhani, ekipin e Nefrologjisë, të drejtuar nga Profesor Nestor Thereskadhe dhe Drejtorinë e QSUT-së. “Qëllimi është që transplanti i dytë të realizohet nga sa më shumë mjekë shqiptarë dhe më pak italianë, dhe më tej i treti dhe i katërti vetëm nga mjekët shqiptarë, nga profesionistët tanë”, tha ajo. Pacientët shqiptarë do të mund të përfitojnë falas këtë ndërhyrje jetike, kostoja e së cilës arrin deri në 20 mijë euro. Në vendin tonë zbulohen rreth 300 raste të reja të sëmurësh me veshka. Prej tyre më shumë se 50 pacientë në vit kanë nevojë të kryejnë dializë, pasi të dy veshkat i kanë jashtë funksionit.

“Mjekët i dhanë vajzës jetë të re”

Mitilda Gode, vajza 20 vjeçe nga një fshat i Korçës mund të konsiderohet me plot gojën me fat. Por  kjo mund të pranohet hapur, tashmë që gjithçka ka shkuar mirë. Pasi për Mitildën, të përzgjidhej si e para paciente që do të kryente transplantin ishte edhe me jo pak risk. Por ajo vendosi bashkë me familjarët e saj të merrte këtë hap dhe për fat të mirë ia hodhi. ”Vajzës tonë tashmë i është dhuruar një jetë e re. I ati i dha veshkën, mjekët mundësinë për të jetuar”, kështu u shpreh dje pas dyerve të sallës operatore, e ëma e Mitildës, Sofika Gode. “Ka qenë një ankth i madh se ishte ndërhyrje e re dhe nuk e dinim si do të shkonte, por falë zotit dhe falë doktorëve tanë, doli me sukses. I falënderoj shumë dhe mjekët italianë, që po bëjnë të pamundurën për vajzën time. Vajza ime sot po rilind. Sot babi i vet po i dhuron veshkën vajzës”, thotë Sofika Gode, me sytë që i mbushen me lot.


çdo vit humbin jetën 200 pacientë

Rreth 200 pacientë në vit humbin jetën nga azotemia (humbja e funksionit të dy veshkave) në vendin tonë. Sipas mjekëve, kryerja e një transplanti është arritje e madhe për shtetin. Jo vetëm që u vjen në ndihmë të sëmurëve por kursen edhe fondet. Vetëm kostoja e trajtimit të një pacienti që kryen dializë është 10 mijë euro në vit. “Ndërsa trajtimi me dializë zgjat për vite të tëra, transplanti është një zgjidhje efiçente, pasi kushton shumë më pak. Një operacion i tillë kushton rreth 20 mijë euro”, sqarojnë mjekët. Por u deshën më shumë se 4 vjet  që kjo ndërhyrje të bëhej realitet për spitalet tona. Kjo, jo për mungesë të aftësisë se mjekëve, por për shkak të infrastrukturës.