Një operacion antidrogë i finalizuar me sukses nga policia greke në zonën e Kozanit, ka çuar në pranga një shtetas shqiptar dhe tre grekë.


Duke përdorur një furgon grupi i trafikantëve po transportonte një sasi të konsiderueshme kanabisi. Mjeti drejtohej nga një 25 vjeçar, shtetas grek. Ndërkohë në vendin e pasagjerit ndodhej shqiptari, 32 vjeç.


Lënda narkotike e sekuestruar ishte e ndarë në 17 thasë dhe pas peshimit policia helene njofton se peshon 208,6 kilogramë, e ambalazhuar në 59 paketa më të vogla.


Por operacioni nuk u ndal me kaq pasi në prangat e policisë ranë edhe dy grekë, të cilët me makinat e tyre kishin rolin e mbështetësit të transportuesve të drogës.


Nga verifikimet e policisë rezulton se 32 vjeçari shqiptar ndodhej në kërkim, pasi mbi të rëndon një urdhër arresti i shpallur nga prokuroria e Selanikut, ku akuzohet për grabitje.


18 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)