I akuzuari për vrasjen e Petrit Muçës në ambientet e ish- hotel Drinit, mohoi dje në Gjykatën e Tiranës të kishte kryer vrasjen





Kosovari i arrestuar të dielën për vrasjen me thikë, u la në "burg pa afat", në pritje të ekspertimit daktiloskopik dhe psiqik





TIRANË- "Tranvestiti më kërkoi seks oral, ditën që unë kam mbërritur në Tiranë kundrejt 500 lekëve, por unë nuk pranova. Që prej asaj dite unë nuk e kam parë dhe takuar më njeriun për të cilin akuzohem se e kam vrarë unë".





Ky ka qenë pretendimi i Sefedin Hoxhës, 36- vjeçarit nga Sharri (Dragashi), i Kosovës i arrestuar me akuzën e vrasjes së tranvestitit Petrit Muça të shtunën në mbrëmje.





Këtë pretendim Hoxha e dha gjatë vlerësimit të masës së arrestit ndaj tij, për këtë vepër penale në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet. Kjo e fundit, me kërkesë të organit të akuzës vendosi caktimin e masës së sigurisë "arrest me burg" për të akuzuarin si autor i vrasjes së Petrit Muçës, i njohur me emrin e tranvestitit "Kristina".





Kjo bëhet e ditur nga burimet zyrtare të gjykatës, që pohuan se gjyqtari Bledar Abdullai, me kërkesë të prokurorit Ervin Karanxha e cilësoi edhe arrestimin në flagrancë të kosovarit 36- vjeçar të ligjshëm.





Prokurori në leximin e kërkesës, njoftoi gjykatën se ka siguruar një sërë deklarimesh të personave të ndryshëm, të cilët pretendojnë se e kanë parë 36- vjeçarin Hoxha me viktimën "Kristina" vetëm pak orë para se të gjendet trupi i pajetë i Muçës .





"Hetuesit kanë siguruar disa dëshmi të personave që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes, mes tyre edhe një person që konsiderohej si shok i viktimës, të cilët janë shprehur se kosovari ishte i fundit që ishte shoqëruar me viktimën para ngjarjes.





Disa nga dëshmitarët janë "tranvestitë" dhe të njohur të Muçës. Ata janë shprehur se pak kohë para se të gjendej trupi i pajetë i "Kristinës" e kanë parë kosovarin të shoqëruar me viktimën"- tha prokurori Karanxha.





Ai përveç se kërkoi që 36 -vjeçari të mbetej në qeli me masën e sigurisë "arrest me burg", njoftoi gjyqtarin se prokuroria po pret akt-ekspertimin e gjurmëve të gishtërinjve të konstatuara në thikën e gjetur pak metra nga vendi i ngjarjes.





I arrestuari Hoxha, nga qyteti i Sharrit (Dragashit) të Kosovës, ka mohuar akuzën e vrasjes së tranvestitit, duke pretenduar se "Kristinën" e kishte takuar një herë, dy javë më parë, sapo kishte ardhur nga Kosova në Tiranë. "Nuk e kam vrarë unë "Kristinën".





Unë për herë të parë dhe të fundit e kam takuar, ditën që kam zbritur nga autobusi i linjës Prizren-Tiranë. E kam takuar pas Pallatit të Kulturës, ku më kërkoi të më bënte seks oral, por, e refuzova",- tha Hoxha para gjykatës. Më tej ai tha: "Katër ditë kam fjetur pas pallatit të "Kulturës", tri ditë tek parku i Hotel "Dajtit", "ish-Hotel "Drinit" dhe pak ditë para selisë së Partisë Demokratike, pasi nuk kisha para për hotel".





Mbrojtësja ligjore e caktuar kryesisht, Vjollca Pustina, kërkoi nga gjyqtari Abdullai të lironte të arrestuarin për mungesë provash. "Nuk ka prova që implikojnë klientin tim në këtë ngjarje. Ai gjatë deklarimeve është shprehur i qartë se nuk ka lidhje me vrasjen.





Prokuroria bazuar në dëshmi të individëve të paragjykuar e pa prova, e mban atë në qeli,- tha avokatja. Gjykata pasi dëgjoi palët pranoi kërkesën e prokurorisë, duke caktuar masën e sigurisë "arrest me burg" për 36- vjeçarin Hoxha, duke i kërkuar gjithashtu organit të akuzës një akt-ekspertim psikik ndaj të arrestuarit, pasi në sallën e gjyqit, ai të krijonte përshtypjen e një personi me probleme mendore.





"Kristina" u gjet me fyt të prerë





TIRANË- Petrit Muça, 36 vjeç, me origjinë nga Elbasani, u gjet i vrarë nga punonjësit e Komisariatit të policisë nr.1, të shtunën në mbrëmje rreth orës 22:00, në ambientet e ish- hotel Drinit, në rrugën "Abdi Toptani".





Efektivët e komisariatit të policisë nr.1, u njoftuan nga polici roje i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve se kishte dëgjuar një ulërimë në ambientet e braktisura të ish-hotel Drinit. Prej këtej vetëm pak çaste më vonë, kishte dalë një person që ishte larguar në drejtim të rrugës "Xhorxh Bush", ku më pas ishte zhdukur.





Policia pas mbërritjes në vendin e ngjarjes kishte gjetur me fyt të prerë homoseksualin Petrit Muça. Blutë shoqëruan pas ngjarjes të gjithë të njohurit e viktimës si dhe vetë të dashurin e homoseksualit, Altin A.





Ky, sipas burimeve të policisë, i tregoi policisë se e kishte parë Petritin herën e fundit me kosovarin e arrestuar të ulur në një stol. Policia ka mundur të gjejë të dyshuarin vetëm të nesërmen pasdite duke e shoqëruar dhe më pas arrestuar në ambientet e komisariatit të Policisë nr.1 në kryeqytet.





Ceremonia e dhënies së lamtumirës në një banesë në kryeqytet



Komuniteti i tranvestitëve varros "Kristinën"



TIRANË- Trupi i pajetë i tranvestitit të vrarë pesë ditë më parë në Tiranë përfundimisht është tërhequr nga një grup tranvestitësh dhe homoseksualësh, për t'i bërë atij nderet e fundit. Trupi i Petrit Muçës i njohur në kryeqytet dhe me emrin "Kristina", është tërhequr nga morgu dje rreth orës 12 00 për ta përcjellë në banesën e fundit.





Lajmi për tërheqjen e trupit të tranvestitit nga morgu është bërë i ditur dje nga burime të Institutit të Mjekësisë Ligjore, të cilët pohuan se ishin në pritje të tërheqjes së trupit të pa jetë si nga familjarët ashtu dhe nga persona të tjerë.





Pasi komuniteti i tranvestitëve ka pritur për tri ditë me radhë nëse trupi i "Kristinës", do të merrej nga familjarët, në fund kanë vendosur ta tërheqin vetë dhe t'i bëjnë të gjithë ritet e mortore, duke e përcjellë në banesën e fundit nëpërmjet një ceremonie të thjeshtë, në një shtëpi të marrë me qira në kryeqytet.





"Po të mos kishin ardhur për ta marrë viktima do varrosej nga Bashkia në varrezat e Sharrës", - pohuan dje për "Shekullin", burime nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.





Vinte si deportiv nga Anglia me grupin e personave të kthyer nga ky vend me një avion çarter



Arrestohet në Rinas i dënuari me 20 vjet burg për vrasje



TIRANË- Një i kërkuar dhe i dënuar me 20 vjet burg për akuzën e vrasjes me paramendim , është arrestuar nga efektivat e Komisariatit të Policisë Rinas gjatë ditës së djeshme, në momentet që po kthehej nga shteti britanik me dokumente të falsifikuara.



Ardian Garubi, 37 vjeç, me banim në Tiranë, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar është prangosur nga strukturat e hetimit të krimit nga Komisariati i Rinasit, pasi ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë së Shkodrës për një vrasje të ndodhur në një fshat të qytetit verior që në vitin 1998.





Lajmi për arrestimit e të kërkuarit është bërë i ditur dje nga burimet zyrtare të Policisë së kryeqytetit, ku thuhet se arrestimi i 37- vjeçarit nga Shkodra është bërë, pasi është shpallur fajtor për një vrasje të bërë 11 vite më parë.





Garubi është shpallur fajtor për vrasjen e Bahri Xhanit në vitin 1998, dhe për këtë krim Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër e ka dënuar me 20 vjet heqje lirie më 4 prill të vitit 2000. Arrestimi i Garubit është bërë në momentet kur ai ka paraqitur një pasaportë me gjeneralitete të falsifikuara me emër të një personi tjetër.





Pasi agjentët e policisë kanë konstatuar falsifikimin e dokumentit të identifikimit që i arrestuari mbante me vete dhe pas verifikimeve të kryera, ka rezultuar se bëhej fjalë për të kërkuarin, i cili tashmë duhet të përballet dhe me një akuzë tjetër, atë të falsifikimit të dokumenteve të identifikimit.





Pas arrestimit nga oficerët e Komisariatit të Rinasit, Garubi iu është dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të vuajtur dënimin në një nga burgjet e sigurisë së lartë. Garubi bënte pjesë në listën e 200 shqiptarëve më të kërkuar nga Interpoli.





Itali

Arrestohet në Firence i kërkuari për vrasje





Arrestohet në Firence të Italisë shqiptari i shpallur në kërkim nga Interpol Tirana, i akuzuar për vrasjen e një 15- vjeçari në Tiranë në vitin 1997. Gëzim Ndreu, 42 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, ka përfunduar në pranga të Policisë Italiane të martën, pas kërkesës së autoriteteve shqiptare për arrestimin e tij.





Lajmi për arrestimin e 42- vjeçarit nga Vlora është konfirmuar dje nga burimet zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku thuhet se ndaj tij Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet ka vendosur më 15 shtator të këtij viti masën e sigurisë "arrest me burg". Sipas policisë dhe sipas të dhënave në dosjen e tij penale, mësohet se Gëzim Ndreu është person i dyshuar si autor i vrasjes së 15- vjeçarit Besian B., ngjarje kjo e ndodhur më katër qershor të vitit. 1997.





Vrasja mësohet të jetë kryer pas një sherri banal. Arrestimi i Ndreut i kryer nga bashkëpunimi i Interpol Romës me Interpol Tiranën, është bërë me qëllim ekstradimin e tij në Shqipëri, i cili do të gjykohet për vrasjen e një adoleshenti 12 vite më parë në Tiranë. Pas arrestimit, pritet të fillojnë procedurat për ekstradimin e Ndreut në Shqipëri, ku do të përballet me gjyqin si autor i dyshuar i vrasjes së 15- vjeçarit 12 vjet më parë.