Tiranë - Tre aksione antikontrabandë janë finalizuar mëngjesin e kësaj të enjteje nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.

Operacionet janë zhvilluar në tre pika doganore, si në Kakavijë, Qafë Botë dhe në Shkodër. Operacioni i parë u finalizua në Degën Doganore Kakavijë ku u bllokua një sasi e konsiderueshme çizme grash, këpucë dhe konfeksione.

Këto mallra po kontrabandoheshin nga Greqia në drejtim të Shqipërisë me autobusin me targa AA 578 CK, me drejtues mjeti A. Taraj dhe M. Simoni. Vlera e detyrimit doganor shkon ne 20 mijë Euro. Operacioni i dytë u finalizua në Degën Doganore Qafë Botë, ku Shtetasi A. Qosja me automjetin e tij tip kamion, me targa AA 663 FR, tentonte të kontrabandonte 1000 dyzina luge ose 12000 copë, mbulesa divani 74 copë, perde 1069 copë ose 3207 metër linear, mbulesa tavoline 604 copë, shalle 410 copë, konfeksione 281 copë. Vlera e shmangies doganore ishte rreth 35 mijë Euro.

Operacioni i tretë u finalizua në Doganën Shkodër, ku subjekti Vasil Tahiri me automjetin me targa SH 9022 C, po përpiqej të fshihte pa deklaruar një sasi të konsiderueshme mallrash industriale dhe konfeksione. Vlera e shmangies së detyrimit doganor shkon në disa mijëra euro.

"Super aksion i njëkohshëm i strukturave te specializuara operativo-hetimore të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave në Kakavijë, Qafe-Bote dhe Shkodër ku u be e mundur parandalimi dhe goditjeve e tre rasteve kontrabande me vlere malli 100 milionë. Aksioni vazhdon në të gjithë Shqipërinë për kthimin e ligjshmërisë dhe luftën ndaj informalitetit", thotë drejtoresha e Doganave, Elisa Spiropali. /Start/