Një nga të arrestuarit e grupit të strukturuar kriminal, që dyshohet se trafikonte drogë drejt Gjermanisë, nuk është një emër i panjohur për policinë.


Elvis Gaçaj, përveç se është një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ka qenë objektiv i një atentati në lulishten 1 Maji me 1 tetor të 2015 ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagos vetë Gaçaj.


Por jo vetëm kaq, ai është arrestuar disa herë nga policia për posedim kanabisi dhe vepra të ndryshme penale.


Ai akuzohet edhe për parcelat e hashashit në zonën e Shëngjergjit, si personi që i disponon dhe financon parcelat me lëndë narkotike.


44-vjeçari e ka nisur herët aktivitetin e tij kriminal. Si adoleshent 17-vjeçar, në vitin 1992, ai vrau me thikë një bashkëmoshatarin e tij. Të dy të rinjtë që u përleshën banonin pranë Drejtorisë së Doganave, afër shkollës Petro Nini Luarasi.


Nga të dhënat rezulton se Evi e qëlloi me thikë në zemër shokun e tij, duke e lënë të vdekur dhe pas kësaj ngjarjeje ai u fsheh për disa kohë, duke mundur tu shpëtonte prangave të policisë. Por arratisja nuk ka zgjatur shumë dhe në vitin 1993 ai vihet në pranga, duke u dërguar në burg, ku do të vuante dënimin. Ndërkaq, me trazirat e vitit 1997, kur u hapën dyert e burgjeve, ai është arratisur drejt Greqisë. Më tej, ai u rikthye në Tiranë, ku u vetofrua për të vuajtur dënimin e mbetur, por gjithsesi rezulton se gjithsej për atë vrasje ka kryer rreth pesë vjet burg në total dhe më pas është lënë i lirë.


Ndërkohë, në atentatin tek Lulishte “1 Maji”  u vranë gabimisht Aurora Oskian dhe Kevin Rugova. Nga atentati shpëtoi shoqja e Aurorës, Eda Gjura. Për këtë atentat, në muajin tetor të vitit 2016, togat e zeza të kryeqytetit dënuan me burg përjetë Sael Sulajn dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë 35 vite burg.


Ndërsa bashkëpunëtori i tij, Vasiel Çavo u dënua me 30 vite burgim dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë 20 vite burg. Sipas autorëve, shkaku i konfliktit mes tyre ishte sepse disa muaj para ngjarjes, i arrestuari në aksionin e sotëm, Elvi Gaçaj, u kishte propozuar që të punonin për të për të shpërndarë drogë, hashash, në zonën e Tiranës së Re dhe kompleksin sportiv Dinamo.


Dy të pandehurit nuk kanë pranuar, ndërsa Gaçaj i kishte dhunuar. Elvis Gaçaj u gjykua i veçuar nga dy të pandehurit të akuzuar si autorë të masakrës. Ai u dënua me 3.4 vite burg për akuzën e prodhimit dhe shitjes së narkotikeve. Sipas gjykatës, ai është zotëruesi i një sasie prej 3.8 gr kokainë, e sekuestruar në banesën e viktimës Rugova pas ngjarjes. Origjina e lëndës narkotike u sqarua nga Kristjana I., e cila u gjet e mbyllur në banesën e Rugovës. Ajo shpjegoi para hetuesve se bashkëjetonte me Rugovën që prej gjashtë muajsh. Sipas saj, kokaina i ishte dhënë Kevinit nga Elvis Gaçaj.


Elvis Gaçaj u gjykua i veçuar nga dy të pandehurit të akuzuar si autorë të masakrës. Ai u dënua me 3.4 vite burg për akuzën e prodhimit dhe shitjes së narkotikeve. Sipas gjykatës, ai është zotëruesi i një sasie prej 3.8 gr kokainë, e sekuestruar në banesën e një prej viktimave në atentatin e lulishtes ‘1 Maji’.


Elvis Gaçaj, 44 vjeç, brenda viteve 2013-2015 u ka shpëtuar edhe dy atentateve të tjera, ndërkohë që sulmet e mëparshme për ta eliminuar ishin kryer me eksploziv.


Ne atentatin e parë u plagos lehtë nga shpërthimi i një sasie tritoli në makinë. Atentati i dytë mbeti në tentativë, pasi lënda plasëse nuk shpërtheu.


Është një personazh shumë i njohur në trafikun e drogës në kryeqytet, sidomos në zonën e Tiranës së Re, ku dhe ka pasur shtëpinë.


Më herët, policia njoftoi se një grup i strukturuar kriminal në fushën e trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Gjermanisë, është kapur nga policia shqiptare, në një super-aksion që ka çuar në ndalimin e 4 personave në Tiranë, i cili ende vijon. Leonard Duka 33 vjeç dyshohet të jetë koka e këtij grupi, ndërsa bashkë me të u arrestuan Elvis Gaçaj 44 vjeç, Oltion Loga 38 vjeç dhe Dritan Agaj 38 vjeç.