Tre artistë të rinj hapën ekspozitën e tyre në hollin e BKUK-së. Albulen Neziri, Gazmend Beshiri dhe Visar Grajçevci shquhen me individualitetin e tyre krijues.


Nga Alfred Beka më 18 maj 2011 në ora 12:11

Në hollin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, të martën, u hap ekspozita e tre artistëve të rinj, të cilët vijojnë studimet pasuniversitare në Fakultetin e Arteve në UP. Albulen Neziri, Gazmend Beshiri dhe Visar Grajçevci janë tre piktorë të rinj që shquhen me individualitetin e tyre krijues.



Në hapje të ekspozitës, për pikturat e tyre foli Ilir Muharremi, profesor i artit në UP, i cili theksoi se të tre artistët ngjyrat i përcaktojnë ngadalë, i kontrollojnë ato, u japin shpirt, melodi dhe përkufizojnë forma mjaftë të shndritshme dhe tërheqëse, unike e harmonike.



“Dritëhijen e vejnë në harmoni, i përcaktojnë saktë vendet. E kanë mësuar dhe dirigjuar mirë dorën, falë zellit të tyre të treguar, andaj teknika e vizatimit vije shpejt dhe në një të tillë mënyrë, që as ata vetë nuk e vënë re. Përshtaten me botën e vizatimit, pikturës, thellohen në gjësende të fshehta, zbulojnë ritmin dhe nuancat e sinqerta, krijojnë konfliktin mes së shkuarës, portretit nudo dhe teknikave të mësuara në shkollë, duke u nisur nga dizajni dhe grafika, dhe ato pastaj i gërshetojnë në pëlhurë”, u shpreh Muharremi.



Lidhur me krijimet e Albulen Nezirit, Muharremi tha se në vizatimet e tij shpërfaq formën nudo të femrës, duke e ekzagjeruar me vija të lakuara në pjesën e poshtme.

“Ajo është në lëvizje, pa duar, e kjo sikurse paralajmëron se, edhe pse femra është e pafajshme dhe e kapur pas mashkullit, asgjë nuk ka në duar, por disi tërthorazi mundohet që ta fitojë pushtetin dhe të udhëheqë”, tha ai.



Ndërsa, për piktorin Gazmend Beshiri, Muharremi tha se ai në artin e tij surreal arrin të tregojë që forma i jep identitet ngjarjes, e veçanërisht në tablotë historike, ku nuk duhet zënë shumë vend zbukurimet, për të mos i penguar apo errësuar pozat dhe lëvizjet e figurave, përmes të cilave del në pah thelbi i tyre.



“Kompozicioni i tablosë me subjekte historike duhet të jetë i tillë që shikuesve t’u lind interesi për dinamikën që ndodhet në tablo. Ai këtë e dëshmon mjeshtërisht, kur fut gërshetimin e motiveve tradicionale historike, në fondin e të cilave është flamuri kombëtar”, tha Muharremi.



Ndërkaq, Visar Graiçevci, sipas Muharremit, dizajnin e transmeton në pëlhurë me kubizmin dhe futurizmin e Marinetit.



“Nëpërmjet dritëhijes dhe formave të cilindrit, konit e sferës, ai iu jep jetë pikturave në të cilat vërehet dukshëm një teatër avangardë, që në esencë përmban luftën mes digjitalizimit dhe origjinales. Autori na paralajmëron se origjinaliteti ndodhet tek artisti që i planifikon format dhe që pasqyron modernen”, theksoi Muharremi.



Sipas tij, të tre këta krijues, me artin e tyre, arrijnë të tregojnë se aspak nuk ngjasojnë me njëri-tjetrin, sepse secili ka veshë për gjuhën e brendshme.