Presidentët e Iranit, Afganistanit dhe Pakistanit po festojnë në mënyrë demonstrative miqësinë e tyre. Në një takim dy ditor mes tyre do flitet për luftën kundër terrorit, për bisedimet me talibanët dhe mbi të gjitha do i tregohet Amerikës: Ne mundemi edhe pa ju


Nuk ka ndoshta një zonë tjetër në botë ku SHBA është kaq e urryer sa këtu: marrëdhëniet me Iranin janë të akullta, në Afganistan amerikanët janë të urryer pas 10 vitesh luftë të pasuksesshme dhe marrëdhëniet me Pakistanin janë në një pikë shumë të ulët pas disa incidenteve si vrasja e Bin Laden, sulmet në postat kufitare pakistaneze nga NATO dhe bombardimet e avionëve pa pilotë. Natën duke u gdhirë e enjtja pesë persona u vranë në Pakistanin perëndimor pas një sulmi amerikan me avionë pa pilotë- mesa duket ata ishin ekstremistë.


Sondazhet në këto tre vende tregojnë se qëndrimet kritike ndaj SHBA janë shumë të përhapura. Tani tre presidentët duan të tregojnë se mes këtyre shteteve ka së paku unitet dhe miqësi. Për dy ditë drejt Islamabadit do udhëtojnë shefi i shtetit në Iran, Mahmud Ahmadinexhad dhe presidenti afgan Hamid Karzai. Takimi, thotë Asif Ali Zardari, presidenti i Pakistanit mikpritës, do jetë një gur themeli në përpjekjet e përbashkëta për paqe dhe stabilitet në rajon.


Në programin zyrtar krahas forcimit të tregtisë dhe përpjekjeve të përbashkëta kundër terrorizmit, do të flitet edhe për trafikun e drogës. Rreth 90 përqind e opiumit në botë vjen nga Afganistani dhe krejt sasia kalon përmes dy vendeve fqinje, Pakistan dhe Iran. Pavarësisht përpjekjeve ndërkombëtare, prodhimi i opiumit është rritur me 7 përqind vitin e shkuar. Kjo edhe për shkak se çmimet e drogës janë rritur në mbarë botën.


Por në të vërtetë bëhet fjalë për të sinjalizuar SHBA-në: Ne mundemi edhe pa ju. Të tre shtetet ndjehen të anashkaluar nga Uashingtoni në hartimin e projekti rajonal pas tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani në vitin 2014. Po ashtu, diplomatët e tre vendeve kanë hedhur kritika pasi nuk janë përfshirë nga SHBA në bisedimet me përfaqësuesit talibanë në Katar.


E ardhmja e Afganistanit duhet të vendoset nga afganët, tha Hamid Gaiani, ish- nënkryetar i parlamentit. Një pjesëmarrës në delegacionin iranian tha se axhenda e tyre nuk duhet të përcaktohet nga fuqi që janë mijëra kilometra larg. Ne kemi nevojë për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, ato janë një garanci për paqen dhe stabilitetin në rajon.


Për shkak të programit bërthamor të Iranit, Pakistani e Afganistani janë nën presion nga SHBA. Për shkak se Teherani duhet të izolohet, Uashingtoni po ushtron presion që të mos bashkëpunojmë me Iranin, tha një diplomat pakistanez. Irani dhe Pakistani planifikojnë një bashkëpunim në sektorin e energjisë. Bëhet fjalë për një gazsjellës nga Irani në Pakistan. Presidenti pakistanez e ka bërë të qartë se gazsjellësi nuk do preket nga sanksionet që vendos OKB mbi Iranin.


*Marrë me shkurtime nga Spiegel