Tre presidentët, Topi, Mesiç e Vujanoviç kanë zhvilluar një takim në qytetin e Shkodrës

SHKODER- Tre presidentë të vendeve fqinjë, përkatësisht Shqipërisë, Kroacisë dhe Malit të Zi kanë zhvilluar dje një vizitë dhe takim të përbashkët në qytetin e Shkodrës. Fillimisht ka qenë Presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiç, ai që ka udhëtuar drejt Shkodrës duke u ndalur në komunën e Bushatit, ku ka marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të përfundimit të punimeve në nënstacionin elektrik të Bushatit, një investim ky i financuar nga BERZH, me një fond prej 1 milionë e 850 mijë euro, punimet e të cilit i ka kryer një firmë kroate. Në fjalën e tij para banorëve të Bushatit, Stipe Mesiç ka theksuar se në marrëdhëniet mes dy vendeve, Shqipërisë e Kroacisë, nuk ka asnjë problem të hapur. Ai ka shtuar se janë shumë firma kroate që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri dhe është në pritje që dhe biznesmenë shqiptarë të investojnë në Kroaci. Duke parë mundësitë e potencialet turistike të dy vendeve tona, Shqipërisë e Kroacisë, Presidenti kroat ka theksuar se të dy vendet duhet të bashkëpunojnë më shumë në fushën e turizmit, duke synuar të thithet një numër sa më i madh turistësh që qarkullojnë në të dy vendet. "Për këtë, është rënë dakord me qeverinë shqiptare që të përshpejtohet procesi i liberalizimit të vizave",- tha Mesiç. Ndërsa Presidenti shqiptar, Bamir Topi ka pritur homologun e tij kroat Stjepan Mesiç dhe atë malazez, Filip Vujanoviç, në një prej lokaleve të qytetit të Shkodrës, në rrugën hyrëse të tij nga Tirana. Aty, tre presidentët, Topi, Mesiç e Vujanoviç kanë zhvilluar një takim të shkurtër. Vizita e tyre ka vazhduar në kalanë Rozafa, ku të tre presidentet u njohën me historinë e kështjellës. Në deklaratën e tyre të përbashkët, të dhënë në mjediset e kalasë Rozafa, tre presidentët vlerësuan bashkëpunimin mes tre vendeve dhe theksuan domosdoshmërinë e nisjes sa më parë të zbatimit të projektit të rrugës që lidh këto tre vende, pikërisht autostradës bregdetare Adriatiko-Joniane.