Kush është Aleks Podrizki? Ai u dënua dje nga gjykata e Floridës me 5 vite burgim së bashku me Dejvid Pakauz,të dy vartës të Efraim Diverolit, i cili pret sot masën e tij të dënimit sëashku me financierin e tij. Gjithsesi dy të dënuarit e djeshëm, Podrizki dhe Pakauz pranuan paraprakisht fajësinë e tyre në lidhje me kontratën e fishekëve dhe gazeta “Albania” boton disa fragmente të dëshmisë që Kosta Treicka ka bërë në Kongresin Amerikan për të kuptuar më mirë aktivitetin e Aleks Podrizkit në Tiranë për llogari të Efraim Diverolit dhe kompanisë “AEY”. Dëshmia tregon në detaje njohjen mes tij dhe Trebickës, problemet me paketimin dhe mbërrin deri në momentin që Trebicka takoi një funksionar të Ambasadës Amerikane në Tiranë, lëvizje kjo që ndezi dhe hetimin e bujshëm për trafikun e fishekëve kinezë.

I nderuar zotëri.

Do ju tregoj se si nisi kjo histori para rreth një viti në Tiranë, Shqipëri. Një mëngjes, nuk e kujtoj mirë, nëse ishte fundi i marsit apo mesi i prillit, mora një telefonatë nga një person, emri i të cilit është Aleks Podrizki. Më pyeti nëse isha Kosta Trebicka dhe sigurisht iu përgjigja “Po”. Donte të më takonte, ose në zyrën time, ose në ndonjë nga kafenetë afër zyrës sime. Për shkak se zyra ime nuk mund të gjendet kollaj, i propozova një kafe më të afërt, ngjitur me zyrat, tek Sky Tower. Shkova e takova dhe e pyeta pse ishte i interesuar për mua. M’u përgjigj se ishte përfaqësues i një kompanie amerikane që dëshironte të blinte një numër të konsiderueshëm kutish kartoni (rreth 80 mijë), të prodhuara me letër kartoni shumë të mirë dhe të fortë. E pyeta se a kishte ndonjë arsye se pse kishte nevojë për karton të fortë, dhe nëse nuk jam gabim, ai më tha se këto kuti do të përdoreshin për të paketuar dhe transportuar një sasi fishekësh automatiku AK 47. Nuk më dha sqarime të mëtejshme. I thashë në rregull dhe diskutuam për çmimin e blerjes. I thashë se kisha nevojë për të paktën tri ditë deri në një javë kohë për t’u përgatitur dhe për të bërë gati kutitë që t’i dërgoja tek ai, por i bëra të ditur se kisha nevojë për një parapagesë prej dërgesën e parë prej 12.000 kutish. Më tha, në rregull. Kështu që dola dhe nisa përgatitjen për dërgesën. Në të vërtetë nuk kisha për momentin një sasi të tillë letre në magazinën time kështu që u nisa vetë dhe shkova në Maqedoni për t’i porositur këto kuti nga një kompani e quajtur “Miscom”. Një javë ose dhjetë ditë më vonë udhëtova sërish në Maqedoni për t’i sjellë këto kuti në Tiranë, Shqipëri. Në fund të prillit kutitë erdhën dhe thirra Aleksin që të vinte dhe t’i merrte nga magazina ime në Tiranë. Ai tha, në rregull. Erdhi dhe fotografoi kutitë dhe propozoi të uleshim dhe të diskutonim një tjetër marrëveshje. Isha i habitur, por u përgjigja OK. Propozimi i tij ishte si vijon: “Zoti Kosta, a mund t’i mbash këto kuti të ruajtura në magazinën tënde dhe të diskutojmë, nëse kompania jote mund të organizojë dhe paketimin e 100 milionë fishekëve automatikë AK 47, që do t’i dërgohen ushtrisë amerikane ne Afganistan?” I thashë që nuk isha marrë kurrë me armë dhe se ky do ishte një biznes i vështirë për mua. Ai tha: “Mos u shqetëso, ti thjesht punëso 50 apo 60 njerëz, dhe unë do kujdesem personalisht për këtë.” I thashë se nuk dija sa të kërkoja për një shërbim të tillë. Ai tha se do të kërkonte një leje për mua dhe pesë nga punëtorët e mi aktualë, që të hynim në ambientet ushtarake qeveritare dhe të testonim një kontejner municionesh (rreth 50 mijë fishekë), dhe të shihnim sa punë kërkonte një gjë e tillë. Javën e parë ose të dytë të majit 2007, mora pesë njerëz të mitë dhe së bashku me Aleksin shkuam te zona ushtarake brenda aeroportit të Tiranës. Atje pashë një kontejner me municion. Fishekët ishin të paketuar në kuti metalike që mbanin 1000 deri në 1400 të tillë secila, dhe çdo dy kuti metalike ishin të futura në arka prej druri. Aleks u shpjegoi punëtorëve të mi mënyrën se si ata supozohej të shpaketonin fillimisht nga arkat e drurit dhe më pas si të hapnin kutitë metalike e t’i vendosnin fishekët në kuti kartoni, në mënyrë shumë të rregullt, dhe më pas do i fusnin kutitë e kartonit në një mbështjellje plastike. Përfundimisht, ato do vendoseshin në kontejner. Mua m’u duk shumë kohë e shpenzuar dhe e çuditshme se pse Aleksi donte të bënte gjithë këtë punë, dhe e pyeta pse do harxhonin pará për të shpaketuar dhe ripaketuar sërish të njëjtin municion? Ai m’u përgjigj se gjithçka po bëhej për shkak të peshës. Ai më shpjegoi se kompania e tij po kursente për transportin e çdo 2500 fishekëve një shumë prej 40 dollarësh amerikanë, për shkak se arkat e drurit peshonin 6 kilogramë dhe secila nga kutitë metalike peshonte 1 kilogram. Ai më tha se kostoja e transportit ishte 5 dollarë për kilogram, dhe kështu që sipër përllogaritjeve të mia, Aleksi mund të kursente rreth 1.2 milionë dollarë. I thashë se, sipas punës sime dhe materialeve që do paketoheshin, kisha nevojë të paguhesha 400 mijë dollarë amerikanë. Aleksi më tha se do të fliste me shefin e tij, Efraimin (hera e parë që e dëgjoja emrin e tij), dhe se do më jepte përgjigje po të njëjtën ditë. Atë natë mora një telefonatë nga zoti Efraim Diveroli që më pyeti mua se si ishte puna dhe se sa donte të më paguante për të. Ai tha se oferta e tij për të gjithë punën ishte 250 mijë dollarë amerikanë. Nisa t’i argumentoj se ky nuk ishte një çmim i leverdishëm për mua. Ai më tha se për momentin ishte duke humbur pará dhe më premtoi se do të kapte një punë akoma më të madhe në Shqipëri dhe se do më merrte si nënkontraktor, kështu që nuk duhej të bëhesha lakmitar dhe të kërkoja kaq shumë menjëherë. Përfundimisht ramë dakord për 280 mijë dollarë amerikanë. Pas pak më pyeti, nëse kishte shënime në gjuhën kineze mbi arkat e drurit apo brenda kutive metalike. U përgjigja se nuk u kisha kushtuar vëmendje dhe e pyeta pse. Ai sërish më pyeti, nëse kishte etiketa brenda kutive apo ndonjë gjë të shkruar te letra kafe që mbështillte dhjetë fishekë së bashku. Sërish iu përgjigja se nuk e kisha vënë re një gjë të tilla dhe e pyeta pse. Ai m’u përgjigj: “OK, OK, vazhdo me punën dhe sigurohu që asnjë letër e shkruar të mos përfundojë brenda kutive të kartonit.” Isha i habitur. Ditën tjetër takova Aleksin dhe i kërkova të më jepte dokumentet e nevojshme dhe kontratën. Ai tha se Efraimi do e bënte një gjë të tillë. Një vit më vonë, Efraimi më dërgoi me e-mail një prokurë të avokatit të tij dhe një urdhër-blerjeje nga qeveria amerikane. Prokura e avokatit i jepte të drejtën kompanisë sime të ishte në kontakt me ndërmarrjen qeveritare shqiptare, MEICO, në mënyrë që të siguronte se punëtorët e kompanisë sime të hynin në ambientet ushtarake dhe të bënin paketimin brenda këtyre ambienteve. Printova prokurën e avokatit dhe së bashku me Aleksin shkova te drejtori i Përgjithshëm i MEICO, zoti Ylli Pinari, në mënyrë që të bëja të mundur që punëtorët e mi dhe kompania ime të kishin të drejtë të hynin në ambientet ushtarake. Ishte hera e parë në jetën time që takoja zotin Pinari. Pas disa diskutimeve me të, Pinari urdhëroi punonjësit e tij që të sillnin përpara meje një kontratë, ku për çudinë time vura re se kompania ime, “Xhoi”, do të ishte nënkontraktore për dy kompani, AEY Inc. dhe EVDIN LTD. Reagova dhe thashë se nuk njoh askënd dhe asnjë kompani të quajtur EVDIN, njoh vetëm AEY, kështu që nuk do të nënshkruaja për të.

....Ditën e nesërme shkova te zyra e Pinarit dhe nënshkrova me të kontratën, ku emri i EVDIN LTD nuk përmendej fare dhe ku ishte theksuar zona ushtarake, ku kompania ime do bënte shpaketimin dhe paketimin e municioneve. Zona e parashikuar ishte brenda aeroportit të Tiranës te disa hangarë ushtarakë të disa aeroplanëve të vjetër e të ndryshkur. Pas kësaj dite i telefonova Efraimit për të më dërguar kontratën për shpaketimin dhe paketimin e fishekëve automatikë. Ai ma dërgoi rreth 10 majit 2007. Pasi nënshkrova kontratën me MEICO, Pinari nisi të dërgonte municionin në zonën e planifikuar. Ai dërgoi një sasi prej rreth 12 milionë fishekësh për t’u shpaketuar dhe ripaketuar. Shkova së bashku me Aleksin dhe punonjësit e mi brenda zonës së punës dhe atje pashë Aleksin që u jepte urdhra përfaqësuesve të MEICO për të ndarë kutitë e drurit me municion shqiptar dhe kinez veçmas. E gjithë sasia e municionit ishte gjysma shqiptare dhe gjysma kineze. Ai u tha punonjësve të mi që të ishin të kujdesshëm me shpaketimin dhe paketimin dhe të siguroheshin se nuk do të futej asnjë mbishkrim kinez brenda kutive të kartonit. Ai i ndiqte vetë të gjitha veprimet. Pas disa ditësh shumë stresuese pune, vendosa që të mos vazhdoja më, për shkak se shpenzimet e mia ishin më të mëdha se të ardhurat. Telefonova Efraimin dhe i kërkova të më shtonte pagesën ose në të kundërt t’i hiqte fishekët nga arkat e drurit dhe t’i linte fishekët në kutitë metalike dhe ato të futeshin siç ishin në kutitë e kartonit. Kështu kishte më pak punë për mua dhe ishte më e lehtë për Efraimin. Ai më pyeti sërish, nëse kishte mbishkrime kineze mbi kutitë metalike. Thashë që po. Më tha që do fliste me Aleksin. Më telefonoi sërish dhe më tha se duhej t’i shpaketonim nga gjithçka. Isha i habitur dhe dyshues. Një ditë më vonë i thashë Aleksit për reagimin e Efraimit dhe e pyeta se pse ishte ky reagim kaq i fortë për mbishkrimet e kutive. Ai më tha: “Mos u shqetëso Kosta, arsyeja e thjeshtë është se gjatë transportimit, vendet ku kalon avioni mund ta ndalojnë atë dhe autoritetet do të bëjnë kontroll dhe mund të gjejnë se dokumentet e doganës janë në shqip, ndërsa disa nga kutitë janë të shkruara në gjuhën kineze. Autoritetet do të fillojnë të hetojnë, çka mund të sjellë vonesa në dërgimin e ngarkesës”, dhe kjo do të bënte që ata të humbisnin kontratën, për shkak se nuk e dorëzonin mallin në kohë.

...Ditën tjetër vendosa t’i telefonoj zotit Robert Njusom (atashe ekonomik pranë ambasadës amerikane në Republikën e Shqipërisë) dhe i kërkova të pinim një kafe. U takova me të dhe i dhashë të gjitha dokumentet e transaksioneve të mia me AEY dhe i thashë atij se kompania ime po bënte shpaketimin dhe ripaketimin. Zoti Njusom më pyeti se për çfarë qëllimi po e bëja këtë. I thashë atë që më tha specialisti i AEY, Aleksi. Më kërkoi numrin e telefonit të Aleksit dhe më tha se gjithçka ishte në rregull dhe se ishte një ndihmë e madhe për ambasadën, për sa kohë ata ishin duke kërkuar fonde për shkatërrimin e shumicës së municionit në Shqipëri. Ndava me të shqetësimin për sjelljen e disa punonjësve të MEICO (njerëz të vegjël të korruptuar, që kërkonin pará) dhe u larguam. U takova me Aleksin ditën tjetër dhe i thashë për takimin me zotin Njusom. I habitur më pyeti: “Çfarë të tha, kur i përmende municionin kinez?” I thashë Aleksit se çfarë më tha zoti Njusome.





28 Maj 2009