Bashkia e Tiranës ka ngritur një rrjet modern tregjesh publik të fruta-perimeve, për ti dhënë fund fenomenit të shitjes produkteve ushqimore në rrugë dhe ofrimit të standardeve dhe sigurisë më të madhe ushqimore për konsumatorët.


Shembulli më i mirë i transformimit është ai i Pazarit të Ri, ku nga një vend ku produktet bujqësore dhe blegtorale tregtoheshin jashtë çdo norme higjieno sanitare, pranë ujërave të zeza, tashmë janë ndërtuar tezga të rregullta dhe sigurohet pastrimi i vazhdueshëm.  


Në të gjithë kryeqytetin janë ndërtuar 9 tregje të cilat garantojnë të gjitha kushtet, ku tregtarët kundrejt një tarife modeste për 100 lekësh, të cilët në mungesë të një tregu funksional dhe me standarde ishin detyruar të tregtonin rrugëve të qytetit, jashtë çdo norme ligjore dhe higjiene.


Në tregun pranë rrugës 4 Dëshmorët i cili ka në total 50 vende, ka 34 vende të pashfrytëzuara, ndërsa në tregun 1 Maji,  janë 28 vende të lira. E njëjta situatë shfaqet edhe në tregun e posaçëm të ngritur nga Bashkia e Tiranës në rrugën Mine Peza, në të cilin nga 50 vende që ka në total, vetëm 8 po shfrytëzohen nga tregtarët, ndërkohë që 42 të tjera janë të lira.


Dy nga tregjet me numrin më të madh të vendeve janë ato në rrugën Hamdi Pepo dhe LLazi Miho, përkatësisht me 245 dhe 210 vende duke shërbyer si tregje për shitjen e fruta perimeve.


Tregjet në rrugën Pandi Dardha, Gjergj Legisi dhe Petro Nini Luarasi kompletojnë  pikat e shitjes të rregulluara dhe të kontrolluara të cilat ofrojnë të gjitha garancitë për shëndetin e qytetarëve.


Por përkundër cilësisë dhe vendeve të lira të tregtimit, duket se ajo që mungon më shumë është ndërgjegjësimi i vetë qytetarëve për tu kujdesur për produktet të cilat blejnë për vetë dhe për fëmijët e tyre, duke blerë në rrugë, shpesh herë edhe në shi apo nën rrezet e diellit duke sjellë kontaminimin e tyre.


Bashkia e Tiranës u ka bërë thirrje vazhdimisht konsumatorëve që mos ti përdorin ato produkte të cilat shiten në rrugë e sidomos produktet e ndjeshme që kërkojnë kushte, duke u kërkuar qytetarëve që të luajnë një rol më aktiv duke denoncuar shkeljet përkatëse si edhe mund të mbrohen në mënyrë efektive nga risqet dhe kërcënimet serioze për shëndetin e tyre.


19 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)