Tregu i lodrave në Shqipëri ka qenë jashtë çdo kontrolli. Tashmë këtë e pranon edhe vetë Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, që ka për detyrë garantimin e sigurisë të këtyre produkteve. Lodra që shiten në rrugë, pa markimin e standardit CE, qoftë ky i vendosur edhe fiktivisht apo prezencë e elementeve kimike të ndaluara. Këto janë disa nga problemet më të shpeshta në këto produkte, që deri më sot nuk kanë qenë në fokus të askujt, por vetëm në ndërgjegjen e importuesve që furnizojnë tregun vendas.  Por, mesa duket ka ardhur koha që kjo situatë të ndryshojë. Të paktën kështu pretendon inspektorati, sipas të cilit kjo do të reflektohet që prej këtij fundviti, kur edhe tendenca për të blerë këto produkte është më e lartë për shkak të festave.



Në këtë intervistë, dhënë për Scan Magazine, drejtori  i Drejtorisë së Mbikëqyrjes së Produkteve, pranë Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, Julian Llupo thotë se janë hedhur hapat e parë për ndryshimin e këtij realiteti, ndërkohë që sipas tij ky është një proces që shumë shpejt do të japë edhe rezultatet e pritshme.


Llupo, ka akuza se Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut nuk ushtron asnjë kontroll në drejtim të lodrave, që shiten në tregjet shqiptare. Si i përgjigjeni këtyre akuzave?


Inspektorati është një strukturë e re, pasi është krijuar vetëm në fillim të këtij viti. Gjithashtu, edhe rekrutimet kanë nisur vetëm në fillim të këtij viti e për pasojë stafi është i reduktuar përsa i përket edhe lodrave, i cili është një nga sektorët e këtij inspektorati që ka fushë të gjerë veprimi: Fillon me sigurinë e produkteve mekanike, elektrike, lodrave, detergjenteve, produkteve të qelqit, e drejta e autorit, etj., pra thuajse të gjithë gamën e produkteve joushqimore. Megjithatë mbetet ende i vështirë procesi i rekrutimit, i cili do të vazhdojë. Ndërkohë që, edhe për shkak të një procesi tjetër, që është ristrukturimi i inspektorateve, ende nuk ka një formalizim të plotë përsa i përket stafit. Ndërsa, përsa i përket sektorit të lodrave, pavarësisht se stafi është i reduktuar, procesi ka nisur që prej mesit të këtij viti, ku janë bërë të mundur rekrutimet e para, që prej inxhinierëve dhe inspektorëve përsa i përket këtij sektori si dhe kemi nisur bashkëpunimin me doganat. Kemi evidentuar pjesën e importuesve më të mëdhenj. Gjithashtu është bërë edhe një metodologji risku për vlerësimin e vendeve të origjinës dhe produkteve, të cilat paraqesin më shumë rrezikshmëri. Po ashtu, inspektorati pret që këtë ta konkretizojë në masa konkrete, por tashmë është krijuar një bazë të dhënash nga e cila niset procesi i kontrollit sepse edhe në bazë të ligjit 10489 Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore përcaktohet që përgjegjësitë kryesore janë të importuesit, prodhuesit dhe shpërndarësve apo përfaqësuesve kryesorë të produktit.


Numri i importuesve është i madh, por nga të dhënat që kemi ne, numri i atyre që zënë peshën kryesore nuk është shumë i madh, është rreth 20-30 importues kryesorë që bëjnë importe periodike, të cilët kanë pjesën bazike të tregut dhe mbi bazën e të cilës është formuar edhe tregu i lodrave në Shqipëri.


Duke qenë se përmendët rekrutimet, inspektorët aktualë a e kanë kapacitetin për të kontrolluar importuesit kryesorë të lodrave?


Inspektorët e rekrutuar deri më tani janë trajnuar gjatë kësaj kohe nga një projekt i GIZ, kanë marrë informacione kryesore, kanë bërë edhe trajnime jashtë vendit, kështu që kanë mundur të krijojnë njohuritë bazike, që iu shtohen njohurive mbi të cilat ata janë rekrutuar për këtë vend pune. Ata janë rekrutuar me një arsimim të përshtatshëm për këtë vend pune nga ana e Departamentit të Administratës Publike dhe besoj se janë të aftë ta kryejnë këtë detyrë.


Thatë se keni përgatitur një listë me produktet më të rrezikshme për fëmijët. Cilët janë këto produkte, duke qenë se jemi edhe në prag të festave të fundvitit dhe prindërit janë më të predispozuar për të blerë më shumë lodra?


Problemet e lodrave në Evropë kanë filluar që para 20 vitesh, kur Kina e fitoi luftën tregtare përsa i përket çmimeve të këtyre produkteve në Evropë. Problemet me të cilat u përballën vendet e unionit 20 vite më parë, sot po përballen vendet e rajonit përfshirë dhe Shqipërinë. Kina, në Evropë është nga furnizuesit kryesorë në lodra. Madje në faqen e  Komisionit Evropian në pjesën e lodrave dhe sigurisë së produkteve, direktiva e sigurisë së lodrave e vitit 2009 është e përkthyer edhe në gjuhën kineze. Edhe gjithë amendimet që i bëhen kësaj direktive përkthehen në gjuhën kineze, në mënyrë që ti bëjnë të ditur prodhuesve kinezë që të përshtatin produktet e tyre me standardet dhe me rregullat teknikë të BE-së. Pra, jemi në kushtet që duhet rritur siguria në portat hyrëse, që janë doganat. Përsa i përket pyetjes tuaj, metodologjia që ndiqet bazohet pikërisht mbi origjinën e mallrave. Kryesisht mallra, jo vetëm nga Kina, por edhe nga vende të tjera që kanë filluar të bëjnë të njëjtën luftë tregtare që Kina bëri para 20 vitesh, që është Tajvani dhe India janë vende të cilat përgjithësisht nuk garantojnë sigurinë e produktit.


Nëse kemi një lodër me vend origjine Kinën, i cili është i pajisur me markimin CE si duhet të veprojmë: duhet të distancohemi prej tij apo duhet ta konsiderojmë të sigurtë?


Duhet të sqarojmë diçka: markimi CE vendoset nga prodhuesi ose nga një grup i akredituar për të vendosur këtë markim. Përveç markimit CE, në termat e sigurisë dhe kontrollit nga ana e organeve ligjzbatuese, një produkt duhet të ketë dokumentin shoqërues të certifikatës së konformitetit, që ndryshe njihet si EC. Deklarata e konformitetit, që shoqëron produktin paraqet të gjitha testet që i janë bërë në prodhim këtij produkti nga ana e prodhuesit, ku futen: testet e forcës, testet mbi elementet kimike, mbi elementet kancerogjene-mutagjene, mbi metalet e rënda përbërëse që mund të ketë lodra, mbi elementet alergjene (nëse ka prezencë të këtyre elementeve dhe nëse po, në çfarë nivelesh janë) dhe nëse kjo certifikatë konformimeti nuk është apo nuk ekziston, atëherë garancia e një produkti nuk mund të garantohet vetëm me markimin CE. Por, edhe deklarata e konformitetit duhet të gjurmohet se nga cili prodhues është çuar. Sipas legjislacionit në fuqi, këtë dokumentacion një importues duhet ta ketë deri në 10 vjet nga vendosja e këtij produkti në treg. Nëse struktura përgjegjëse dyshon se kjo lodër nuk përputhet me deklaratën e konformitetit, me testet, të dhënat mund të jenë të rreme ose nuk janë kryer të gjitha testet, atëherë lodra do të kalojë në laborator përsa i përket elementeve të dyshuara të ndaluara ose mbi kushtet fizike që përmban ajo lodër sepse nuk janë vetëm elementet kimike, por ka një sërë testesh të tjera që një produkt lodër të jetë i sigurtë dhe brenda standardeve për tu vendosur në treg.


Praktikisht, një prind nuk mund ti kërkojë importuesit këtë certifikatë. Si mund të veprojë ai në këtë rast për të kuptuar se është duke blerë një produkt të sigurt?


Përsa i përket mbrojtjes së konsumatorit, që është një nga detyrat e tjera që ISHMT-ja e ka detyrë të vetën, unë mund të them që prindërit duhet të jenë të kujdesshëm që të mos blejnë lodra në pika të paautorizuara. Pjesa tjetër është që duhet të jenë të kujdesshëm ndaj markimit CE, që presupozon se një lodër është brenda standardeve të lejueshme nga Komuniteti Evropian për tu vendosur në treg, por forma e këtij standardi duhet të jenë siç e parashikon ligji, pra duhet të jetë e vendosur mbi lodër ose mbi një paketim, i cili nuk hiqet.



Ju thatë që Inspektorati është një institucion i ri. Në këtë situatë deri në çfarë pike jemi me kontrollet: a kanë filluar këto kontrolle në drejtim të certifikatave të konformitetit apo kontrollet doganore?


Duke qenë se jemi në periudhën përpara festave të fundvitit, inspektorati parashikon që të bëjë kontrolle përsa i përket këtyre produkteve në atë që është pjesa më e rëndësishme, pra te importuesit kryesorë. Ka filluar një proces informimi i këtyre importuesve sepse duhet thënë që jemi përpara faktit që deri tani nuk ka patur një strukturë ligjzbatuese përsa i përket kësaj pjese dhe pjesa e parë është pikërisht informimi, që këta importues të njihen me rregullin teknik dhe me ato çka parashikon ky rregull teknik, detyrimet që ata kanë mbi sigurinë e produkteve që ata importojnë. Kjo bëhet në mënyrë që me nisjen e kontrolleve ata të jenë të përgatitur që të plotësojnë standardet e sigurisë mbi këto produkte, pasi flasim për produkte që janë të vlerësuara edhe nga Komisoni Europian, që kanë një rrezikshmëri të nivelit të konsiderueshëm, pra nuk janë produkte që janë jashtë fokusit.


Si i konsideroni kapacitetet tona doganore dhe si do të veprohet në drejtim të kontrolleve në këto pika hyrëse?


Doganat janë institucione të konsoliduara, të cilat tashmë përdorin sisteme gjurmimi edhe për shërbime të tjera, janë të modernizuara dhe me ngritjen e inspektoratit, besoj se ngritja e pikave të përbashkëta të kontrollit përsa i përket gjurmueshmërisë së produktit do të ishte një hap tepër i rëndësishëm dhe do të rriste sigurinë e këtyre produkteve në nivele evropiane.


Ka një praktikë Bashkimi Evropian për publikimin online, ilustruar edhe me foto dhe markën përkatëse, të lodrave që konsiderohen të rrezikshme. A do të aplikohet kjo praktikë edhe në vendin tonë?


Po, do të aplikohet. Ne jemi në fazën që po ngremë një website dhe një pjesë e rëndësishme e website-it të Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut do të jetë RAPEX-i rajonal. Ne kemi një rrjet rajonal, ku raportohet nga vendet e rajonit kur kapen produkte të kësaj kategorie, që përbëjnë rrezikshmëri dhe një pjesë e rëndësishme janë edhe lodrat. Gjithashtu, do të jetë edhe RAPEX-i evropian që shikohet nga konsumatorët dhe padyshim një pjesë e rëndësishme në këtë website do ti kushtohet pjesës së produkteve lodra, por jo vetëm që do të kapen dhe që do të përbëjnë një rrezikshmëri të lartë në tregun shqiptar. Ndërkohë që, konsumatori do të informohet dhe do të jetë i vetëdijshëm që ky produkt, që mund të jetë blerë duhet të mos përdoret ose të mos blihet deri në momentin që ai do të tërhiqet nga tregu. Bazuar edhe në ligjin 10489 dhe në rregullin teknik, në momentin që një produkt vlerësohet që ka rrezikshmëri të lartë dhe kapet në treg, padyshim që i kërkohet firmës në mënyrë të menjëhershme ta tërheqë produktin nga tregu.



Në fakt folëm për rreziqet mekanike që paraqet një lodër, por çfarë rrezikshmërie tjetër paraqesin lodrat në drejtim të përmbajtjes kimike?


Për vetë përbërësit dhe strukturën e tyre në lodra është e mundur që të përdoren elemente të ndryshme që janë të dëmshme. Kur flasim për lodra, flasim për 2 kategori popullate që janë: 0-3 vjeç dhe 3-14 vjeç. Përsa i përket kategorisë e parë, që është edhe kategoria që lodrën e fut edhe në gojë, pra bie në kontakt me të, kërkesat dhe standardet përsa i përket pjesës mekanike, por edhe pjesës së elementeve përbërëse janë edhe më të forta. Përsa i përket elementeve, që quhen talate e që janë përbërësit kimikë, që përdoren kryesisht nga prodhuesit për të zbutur plastikën dhe elementet e tjera që janë të nevojshme për ti dhënë formë lodrës, përmbajtja e tyre në lodrat për fëmijë 0-3 vjeç duhet të jetë zero ose në nivele tejet të ulëta. Përsa i përket elementeve të tjera, që quhen CMR dhe janë elemente mutagjene-kancerogjene, nuk duhet të ketë as gjurmë të tyre. Po kështu edhe përsa i përket alergjenëve dhe metaleve të rënda, duhet të mungojë prezenca e tyre ose ka disa kategori të këtyre elementeve që duhet të jenë në nivele minimale dhe fillestare për shkak edhe të lidhjes së lodrës me fëmijën. Por, edhe përsa i përket lodrave që janë të destinuara për fëmijë 3-14 vjeç këto elemente, që sjellin pasoja mbi shëndetin e tyre janë në nivele minimale ose drejt zeros. Këto janë edhe elementet kryesore mbi të cilat kryhen edhe teste në laboratorë. Gjithashtu, këto elemente në lodra të caktuara janë edhe pjesë e dosjes së konformitetit, të cilën e lëshon prodhuesi dhe deklaron që ky element nuk ekziston në këtë lodër e që duhet të jetë pjesë e dokumentacionit që një importues apo një përfaqësues i autorizuar i një produkti duhet ta ketë.


Duke qenë se jemi te përbërja kimike, a kemi ne kapacitete laboratorike për të kryer analizat e përmbajtjes?


Aktualisht, përsa i përket lodrave dhe elementeve kimike, alergjenëve, metaleve të rënda apo CMR-ve, në Shqipëri nuk ka laborator të akredituar. Analizat duhet të kryhen në laboratorë të akredituar, në mënyrë që të kenë fuqi ligjore. Këta laboratorë kanë një kosto relativisht të lartë dhe nevojitet një studim për të thënë nëse është efiçent një laborator i tillë. Nuk është çështja vetëm e blerjes së pajisjeve dhe mbajtjes në punë. Laboratori do të ketë një staf permanent, do të ketë preparatet e nevojshme që duhen, etj. Ndaj bëhet një vlerësim i tregut. Me sa kemi informacion nga projektet rajonale apo nga informacioni që kemi marrë nga institucionet e mbikëqyrjes së tregut në rajon, një pjesë e konsiderueshme e vendeve të rajonit operojnë me analiza jashtë vendit të tyre. Pra, produkti çohet për analizë në një vend të BE-së, ku laboratorët nuk mungojnë. Për shembull është Italia, që e ka gjithë gamën e laboratorëve. Duke qenë se analizat përfshijnë një gamë të gjerë dhe nuk flasim vetëm për lodrat sepse siguria e produkteve është edhe më e gjerë, një vend i vogël nuk mund të ketë një gamë të pafundme për analiza të cilat mund të bëhen jo në periudha të vazhdueshme. Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm që pjesa dërrmuese e analizave është on desk, pra kontrollohet dokumentacioni që jepet nga importuesi ose përfaqësuesi i autorizuar dhe gjurmohet me anë të sistemeve të gjurmimit ku është lëshuar nëse janë bërë këto teste. Kjo është praktika që ndjekin të gjithë vendet e zhvilluara. Nëse konstatohet që këto dokumente nuk përputhen me cilësinë e produktit, atëherë shkohet drejt analizave të produktit. Por, këtu dua të theksoj diçka që ligji e parashikon qartë: në rastin kur analizat dhe produkti dalin me probleme, pra janë në kundërshtim me standardet dhe rregullin teknik për lodrat, e gjithë kostoja e këtyre analizave i shkon importuesit, përfaqësuesit ligjor ose shpërndarësit. Kjo shërben edhe si një masë për të disiplinuar tregun.


Deri më tani a janë bërë bllokime lodrash në vendin tonë?


Nuk jemi ende në këtë fazë. Ka patur disa produkte që janë tërhequr vullnetarisht nga ana e firmave, por flasim për sipërmarrje të përgjegjshme sepse duhet theksuar se sot në Evropë, por edhe në Shqipëri, markat e njohura që kanë një qasje tjetër drejt mbrojtjes së konsumatorit, në momentin që një produkt i tyre kapet diku në një vend të BE-së ose rezulton me probleme, atëhere lajmërohen strukturat dhe ajo tërhiqet nga tregu.


Ku mund të ankohet një prind që konstaton probleme me një lodër të caktuar? A do të ketë një departament të veçantë inspektorati, që të merret pikërisht me këtë çështje?


Ne shpresojmë që të kemi sa më shumë ankesa, sepse edhe vetë procesi është i tillë që do të niset nga ne, pra kontrolle që ne i aplikojmë në bazën e metodologjisë së riskut e që kanë në fokus origjinën e produkteve, të cilët unë i përmenda edhe më lart e që Eurozona i ka konsideruar me risk të lartë (Kina, India dhe Tajvani). Më pas gjithë puna tjetër pritet të bëhet në bazë të ankesave që do të vijnë nga konsumatorët apo nga prodhuesi. Dua të theksoj se është jë proces që inspektorati, duke qenë një strukturë tepër e specializuar, kërkon një kohë minimale që të ngrihet dhe të ngrejë gjithë bazën e të dhënave sepse ky sistem funksionon mbi bazë të dhënash, pra mbi bazë gjurmueshmërie, me sistemin laboratorik, i cili mendohet  që në fazën fillestare të mbulohet me vendet fqinje.


Në bazë të projeksioneve tuaja, kur mund të flitet për një treg të sigurt lodrash në Shqipëri?


Ky është një proces, që pritet të fillojë tani në bashkëpunim me doganat dhe rritja e standardeve është në vazhdimësi. Qasja besoj se do të jetë shumë e rëndësishme nga ana e importuesve sepse tregjet janë të formalizuara përsa i përket çështjeve të kontrollit tatimor apo doganor. Flasim për produkte që kanë një vend hyrjeje, dihet që kanë hyrë në Shqipëri dhe nëse ngrihet standardi që në hyrje, formalizimi i tregut përsa i përket çështjeve të sigurisë mund të jetë i shpejtë. Nuk ka përse të vonohet sepse ky produkt kërkon këtë lloj kontrolli, nuk është një produkt që do evidentohet një e nga një në treg. Ai mund të kontrollohet me një kërkesë të lartë sigurie që në doganë dhe duke ngritur një sistem në bashkëpunim me ISHMT-në, sikurse e kanë edhe vendet e tjera, që në fillimet e veta çdo lloj ngarkese e konsiderueshme e lodrave vlerësohet me një risk të caktuar dhe kontrollohet baza dokumentare në mënyrë të hollësishme dhe që aty nxirren projeksionet e para për këtë ngarkesë. Nëse kjo do të bëhet, i gjithë procesi tjetër do të garantojë rritjen e sigurisë së produktit në treg.


Ola Mitre/SCAN Magazine