Shqipëria është vendi më tërheqës në rajon për thithjen e investimeve në tregun e pasurive të paluajtshme. Mbi 40 përfaqësues të bizneseve nga vende të ndryshme të botës kanë shprehur interesin për të investuar në Shqipëri në këtë sektor. Në ditën e dytë të konferencës për zhvillimin e pasurive të paluajtshme, ose siç njihen në botë, “Real Estate”, u kërkua një bashkëpunim më i madh i këtij sektori me kompanitë e sigurimeve. Tregu i Real Estate është faktori më i rëndësishëm i Ekonomisë, dhe nga specialistët konsiderohet si një “lider” për investimet dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Por ky treg në vendin tonë mbetet ende i paorganizuar në Shqipëri. Edhe pse ndërtimet zënë pjesën kryesore të zhvillimit ekonomik në vend, në këtë treg mungojnë studimet e tregut, të mjedisit, arkitekturës, planifikimit, urbanizimit, si modele që zbatohen prej dhjetëra dekadash sot kudo në botë. Në konferencën që u zhvillua në Tiranë mbi këtë treg, ekspertët e imobiliareve theksuan që ky treg të zhvillohet, “mbetet e nevojshme realizimi i disa objektivave, sikurse janë krijimi i degëve të specializuara në arsimin e lartë për pasuritë e paluajtshme, metoda të sakta licencimi për këtë treg për firmat që do të duan të përfshihen në të, krijimi i fondeve të financimit etj”. Zhvillimin e shoqatës Kombëtare të Pasurive të Paluajtshme, së fundi e ka marrë përsipër shoqëria "ikubINFO Business Advisory", sh.p.k, e cila operon në fushën e shërbimeve të Pasurive të Paluajtshme dhe sistemeve të menaxhimit të informacionit. Sektori i ndërtimit mbetet partner kryesor në zhvillimin e këtij sektori, pasi dhe vendi që ai zë në të ardhurat kombëtare është i konsiderueshëm. Ndërtimi kontribuon me 18 për qind të PPB-së. Përfshirja e të gjithë aktorëve që merren me këtë sektor, do të ndikojë në rregullimin e tregut të pasurive të paluajtshme, si dhe hapjen e tij ndaj partnerëve të huaj.





BSH nxjerr në shitje 2.3 miliardë lekë bono thesari



Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, përfundoi dje ankandin e radhës për shitjen e bonove të thesarit. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë kësaj banke, në ankand u shitën bono me maturim 3-mujor, me vlerë 2.300.000.000 lekë, që do të përdoren për bankat e nivelit të dytë dhe për Bankën e Shqipërisë. Për këto bono u pranuan 6 nga 8 kërkesat konkurruese të paraqitura dhe vlera e shitur shënoi 2.300.000.000 lekë nga 2.420.600.000 lekë që u kërkuan. Yield-i maksimal i pranuar është 6.30 për qind, yield-i minimal, mesatar i thjeshtë dhe ai mesatar i ponderuar, shënuan nivelin 6.25 për qind. Këto bono do të maturohen më 07.08.2008, bëri të ditur BSH-ja.





INSTAT: “Importet me Gjermaninë, 5.6 miliardë lekë në tre muaj”



Importet e mallrave me Gjermaninë gjatë tremujorit të parë të këtij viti llogariten në 5 miliardë e 694 milionë lekë, nga 4 miliardë e 642 milionë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2007. Sipas të dhënave të publikuara në fund të muajit prill nga Instituti i Statistikave, eksportet me Gjermaninë gjatë periudhës janar-mars arritën në 694 milionë lekë, ose 137 milionë lekë më shumë se në tremujorin e parë të vitit të kaluar. Importet nga Gjermania përbëhen kryesisht nga produkte kimike, makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi, si dhe tekstile dhe këpucë. Vlerën më të lartë të importeve e përbën grupi makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi, duke arritur në 3 miliardë e 323 milionë lekë. Referuar të dhënave të INSTAT-it, struktura e eksporteve përbëhet kryesisht nga ushqime dhe pije, artikuj tekstile dhe materiale ndërtimi. Për tremujorin e parë të këtij viti vlerën më të lartë të eksporteve e shënoi grupi tekstile dhe këpucë, e cila arriti në 428 milionë lekë.







15 Maj 2008