Trepça 89 u eliminua që në raundin paraeliminator të Uefa Champions League duke mbyllur shumë shpejt ëndrrën europiane, që rezultoi dëshpëruese për xehetarët. Ndeshja e parë ndërkombëtare në nivel klubesh e luajtur në stadiumin Adem Jashari rezultoi një zhgënjim me skuadrën e Ramadanit që u mund 4-1 duke shfaqur limite në mbrojtje por dhe në përvojë me sulmueni Kurtishaj, që bëri dy faulle në 2 minuta duke lënë të tijtë me 10 vetë në momentin më të mirë të Trepça 89. Sigurisht që mungesa e ndeshjeve ndërkombëtare pati ndikim te skuadra, që gjithsesi tregoi se ka kufizime në lojë ndërsa lënia jashtë e sulmuesit kryesor John nga minuta e parë rezultoi disi e çuditshme.
Gjithsesi fillimi ishte i mirë për mitrovicasit që nga minuta e 10 deri në të 25-ën patën 3 mundësi të mira për shënim, sidomos ai që ju paraqit Kurtishaj që gaboi i vetëm përballë portierit (25). Dalja me të kuq e këtij të fundit ndikoi negativisht te skuadra që u ndëshkua në të 37-ën nga Angel që përfitoi nga një rreshtim i gabuar në mbrojtje i Trepça 89.
Një minutë para fundit të pjesës së parë mori fund çdo shpresë për mitrovicasit, pasi Islami dërgoi topin gabimisht në rrjetën e tij.
Fillimi i pjesës së dytë thjesht sa thelloi më shumë rezultatin për skuadrën nga Ishujt Faroe që në të 52-ën dhe 59-ën shënoi dhe dy herë të tjera, me Vathnamar dhe Lervik, që sollën dhe largimin e tifozëve nga tribunat (59:12 dhe 59:42)
Golin e vetëm për Trepça 89 e shënoi Hasani në të 65-ën që gjithsesi nuk e zbuti aspak këtë humbje të rëndë për mitrovicasit, që tregojnë se kanë ende shumë rrugë për të bërë.
4 korrik 2017 (gazeta-Shqip.com)