Prishtinë, 31 gusht - Kampionia në fuqi e Kosovës në futboll, Trepça, në vazhdim të kampionatit do të drejtohet nga dy trajnerë. Trajneri Gani Sejdiu do të ndihmohet nga ish-trajneri i Trepçës, Nazmi Rama. Në të vërtetë Rama nuk do të jetë ndihmës i Sejdiut. Kryetari i klubit, Nexhmedin Haxhiu, ka njoftuar se dy trajnerët do të kenë kompetenca të barabarta. 


"Nazmi Rama është kthyer në klub dhe së bashku me Gani Sejdiun janë trajnerë të skuadrës së parë. Drejtimi i skuadrës nga dy trajnerë ishte ide e Sejdiut. Ai dëshiron të punojë së bashku me Nazmi Ramën", ka thënë Nexhmedin Haxhiu të hënën.


Vetë Sejdiu është shprehur i lumtur që do të ketë partner Nazmi Ramën. Nën drejtimin e Sejdiut, Trepça fitoi titullin.


"Kemi dashur të bëjmë një staf shumë të mirë. Te Trepça nuk ka ndihmës, pasi unë dhe Nazmiu do të punojnë bashkërisht. Jemi shokë dhe të dy kemi kontribuar për sukseset e Trepçës. Ekipi mbetet në duar të sigurta edhe nëse ndonjëherë mungon ndonjëri nga ne", u shpreh Sejdiu.


Trepça së fundi ka rikthyer portierin boshnjak Suad Përtinac. Po ashtu pritet kthimi i mesfushorit Bardhyl Kaçiu dhe sulmuesit Florent Aziri. Të gjithë këta ishin pjesë e skuadrës mitrovicase edicionin e kaluar.


"Suad Përtinac është kthyer në skuadër. Gjithashtu po presim ardhjen e Kaçiut që na mungon shumë në mesfushë dhe atë të Azirit. Me ardhjen e tyre do të kompletojmë ekipin", ka thënë Sejdiu.


Trepça mbrojtjen e titullit e nisi me barazim kundër Drenicës. Në xhiron e dytë u mposht nga Trepça '89, ndërsa të dielën fitoi 2:1 kundër Ballkanit. Me katër pikë të mbledhura renditet e shtata. Në xhiron e katërt Trepça luan kundër Ferizajt.