Në ndeshjen vendimtare për pozitën e dytë të TechnoMarket Superligës së Kosovës në basketboll, në xhiron e 25-të, Trepça e ka mposhtur të shtunën mbrëma Bashkimin në Mitrovicë me rezultat 73:63.



Mitrovicasit e shfrytëzuan shumë mirë epërsinë e terrenit vendës, dhe, të udhëhequr nga tifozeria e tyre e flaktë “Torcida”, s’lëshuan pe në shtëpinë e tyre, për ta ‘gozhduar’ pozitën e dytë, që do t’u sjell atyre epërsi në garat e play-offit.



“Xehetarët” u treguan më të saktë në gjuajtjet e tyre dhe, të prirë nga ‘kulla’ Fikret Hanxhiq, u mbrojtën mjaft mirë, duke i fituar tre çerekë, karshi një të prizrenasve. Pa dyshim, periudha e fundit ishte vendimtare në fitoren e tyre.



Në pjesën e parë, mitrovicasit ishin paksa më të mirë, edhe pse rezultati shpesh ndryshonte. Prizrenasit e nisën ndeshjen furishëm me një seri prej 6:0, por nuk ia lanë mangu as mitrovicasit, që e marrin epërsinë menjëherë, 7:6. Vendësit në vazhdim shkuan katër pikë përpara, 15:11, derisa çereku i parë përfundoi 16:13.



Udhëtuesit e nisën edhe çerekun e dytë me një seri prej 5:0, për ta rikthyer epërsinë, 18:20. Mirëpo, “Xehetarët”, të prirë nga dyshja e disponuar, Gazmend Asllani e Drilon Hajrizi, e fituan edhe çerekun e dytë me rezultat 19:18 (pjesa e parë përfundoi 35:31).



Në dhjetëminutëshin e tretë, i cili paksa u elektrizua nga shikuesit, prizrenasit treguan më shumë dhe e fituan atë 17:11 (44:48, pas tre çerekësh). Periudha e katërt ishte vendimtare.



Në këtë çerek ka shkëlqyer Fikret Hanxhiq, i cili pa dyshim ishte ndër më të merituarit në fitoren e vendësve. Basketbollisti boshnjak shënoi pesë pikë rresht, për shkëputjen e parë të mitrovicasve, 63:55. Diferenca më e madhe në rezultat u arrit në minutat e fundit, me mitrovicasit +11 pikë (68:57).



Këtë avantazh ata e mbajtën deri në fund, për të fituar me rezultat 73:63. Më të merituarit në fitoren e “Xehetarëve” ishin Gazmend Asllani (19 pikë) e Fikret Hanxhiq (18).



Në ndeshjet tjera, Sigal Prishtina nuk hasi në ndonjë rezistencë të theksuar nga rivali vendor, Kolegji EuroSporti, kurse Kosova ia shkaktoi Dritës humbjen e radhës. Peja nuk lejoi befasi në përballje me Bambin.



TechnoMarket Superliga – Xhiroja e 25-të



Rezultatet

Trepça-Bashkimi 73:63

Drita-Kosova 79:91

Peja-Bambi 98:92

K. EuroSporti-S. Prishtina 61:107





Tabela

1. S. Prishtina 24 46

2. Trepça 25 45

3. Bashkimi 25 43

4. Peja 25 38

5. Kosova 25 34

6. Bambi 24 32

7. K. EuroSport 25 31

8. Drita 25 27