Kampioni i Kosovës në futboll, Trepça sipas të gjitha gjasave do ta rikthejë në skuadër sulmuesin e njohur, Enis Fetahu. Njëherësh, klubi mitrovicas është pranë vazhdimit të kontratës edhe me qendërmbrojtësin e saj, Arben Zhjeqi. Lajmin e ka bërë të ditur për Express, Enis Fetahu, të dielën.
“Tash e një javë, unë dhe Arben Zhjeqi jemi në bisedime të vazhdueshme me kryetarin e Trepçës, Nexhmedin Haxhiu. Thuajse veç kemi arritur marrëveshje me Haxhiun dhe sipas të gjitha gjasave, në edicionin e ri unë dhe Arbeni do të luajmë në Trepçë. Gjithçka pritet të definohet të hënën”, tha Fetahu, i cili në pjesën e dytë të kampionatit të kaluar nuk ishte i angazhuar në asnjë klub.
Madje, ai bëri të ditur se nga e hëna do t’i nisë stërvitjet me ekipin gjelbërezi. Të njëjtën gjë do ta bëjë edhe Zhjeqi.
“Biseduam me Arbenin dhe vendosëm që të hënën t’i nisim stërvitjet me Trepçën, në të cilin klub vazhdimisht kemi kaluar mirë dhe kemi marrëdhënie të mira me të gjithë aty”, pohoi Fetahu.
Expressi ka provuar të kontaktojë edhe me kreun e Trepçës, Nexhmedin Haxhiu, por kjo ka qenë e pamundur.
Ndërsa, kryetrajneri i kampionit të Kosovës, Gani Sejdiu ka pohuar për Express se në edicionin e ri llogarit në shërbimet e Zhjeqit. Ai tha se nuk ka shumë informata se si po shkojnë bisedimet mes Haxhiut dhe Fetahut, rreth transferimit të mundshëm të këtij të fundit në Mitrovicë.
Expressi mëson se ekziston mundësia që në Trepçë të transferohet edhe qendërmbrojtësi i Flamurtarit, Valon Bajgora.
Trepça, shoqëri aksionare
Kampioni i Kosovës në futboll, Trepça të shtunën mbrëma në Mitrovicë e ka mbajtur Kuvendin e rregull të punës, i cili me një vendim unanim e ka transformuar këtë klub në shoqëri aksionare, me përgjegjësi të kufizuar, me ç’rast vlera minimale e klubit do të jetë 250 mijë euro.
Në këtë Kuvend kanë marrë pjesë 33 kuvendarë, të cilët kanë vendosur që vlera e një aksioni të jetë 2 mijë euro, me qëllim që t’u jepet mundësia shumë individëve të bëhen aksionarë të klubit gjelbërezi.
Kuvendarët e kanë vlerësuar lart kontributin e kryetarit të Trepçës, Nexhmedin Haxhiu, i cili kontribuoi shumë në sukseset e gjashtë vjetëve të fundit që i ka arritur klubi mitrovicas, duke u konkluduar se Haxhiu në këtë klub deri më tani ka investuar rreth 1 milion euro.
Së shpejti pritet të mbahet një takim me afaristët dhe aksionarët e ardhshëm rreth investimeve të tyre në shoqërinë aksionare.
Trepça ka kërkuar nga Kuvendi Komunal dhënien në shfrytëzim të stadiumit në afat prej 40 vitesh, ose krijimin e partneritetit publiko-privat, pasi kjo do të mundësonte investimet e planifikuara nga klubi në ndërtimin e dy fushave të futbollit, parkingun përreth stadiumit, rrethojës, fushave të tenisit, etj.