ISUF KALO


Qindra ish-studentë të këtij fakulteti, që punojnë me devocion anembanë atdheut, mund të ndihen të lënduar nga ky titull. Dhjetëra profesorë, doktorë të shkencave mjekësore, shefa departamentesh e shërbimesh klinike e specialitetesh universitare që kanë bërë emër me punën e lavdërueshme të tyre në dobi të shëndetit të njerëzve tanë dhe për progresin e deritanishëm të shkencës mjekësore shqiptare,  duke e zhvilluar atë nga një stad së pari primitiv, pastaj foshnjor, pastaj të sovjetizuar e deri në stadin e sotëm, ku sidomos në veprimtarinë klinike zbatohen metoda moderne europiane, mund të ndihen të prekur e ndofta të ofenduar gjithashtu.

Natyrisht, i mirëkuptoj madje, ashtu siç thotë Ben Blushi – kuptoj dhe respektoj edhe ata që nuk do (ose nuk do duan) të më kuptojnë. Por, sinqerisht, u them të gjithëve se jo më pak i prekur ndihem sot edhe unë. Si njëri nga ish-studentët e këtij fakulteti e tani koleg i tyre. Ndryshimi im me ta është vetëm që unë po flas. Po reagoj. Po shkruaj me duar që dridhen këto radhë për Fakultetin tim. Jo me inat. As zemërim. Vetëm me dhimbje. Dhimbje profesionale dhe intelektuale.

Mjek Made In Albania

Për krenari ndaj Fakultetit tim të Mjekësisë në Tiranë, më duket ia vlen të dëshmoj se si diploma me vulën e këtij fakulteti bëri çudinë në jetën time. As që e pata menduar që një Mjek Made in Albania, i diplomuar në këtë fakultet, do ti hapeshin mrekullisht dyert për tu punësuar deri në Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Dhe ti besohej detyra e ekspertit mjekësor ndërkombëtar dhe madje të drejtuesit të njërit nga sektorët më novatorë të këtij institucioni, asaj të cilësisë së sistemeve shëndetësore në Europë.

Por, lumturisht, rasti im nuk qe i vetëm. Të njëjtin fat e vlerësime njohën dhjetëra kolegë të tjerë, bijë e bija të këtij fakulteti që në vitet e demokracisë jeta i çoi në Europë e nëpër botë, ku një numër i tyre shkëlqyen me talentin e aftësitë profesionale të mpiksura në këtë fakultet.

Fakulteti i Mjekësisë i Tiranës, falë kuadrove që ka nxjerrë për gjashtë dekada me radhë, ka emër prestigjioz. Dhe me të drejtë respektohet me mirënjohje anë e mbanë atdheut për kontributin impresionues që ka dhënë në dobi të shëndetit të popullit tonë. Prandaj është ndër fakultetet më të lakmuar të studentëve të rinj dhe vetvetiu tashmë përfaqëson jo vetëm shkollën dhe fondamentin e mjekësisë shqiptare, por edhe tempullin e shenjtë të saj. Si mund ne, ish-studentët e ish-kuadrot e këtij fakulteti, të mos jemi krenarë, falënderues, por dhe zemërdridhur ndaj tij? Mirëpo në vitet e fundit ka diçka në të që nuk shkon! Duket sikur ka ngecur diku dhe rënkon. Emri i tij, sidomos në 2-3 vitet e fundit, lakohet në shtyp e në mediat vizive me fraza debatesh jo vetëm të palavdishme, por mjaft të largëta me misionin e dëshmuar prej tij. Si mund të rrimë ne, pjella e tij, të qetë, të heshtur, indiferentë për çka thuhen e shkruhen për të?

Është fakt që Fakulteti ynë i Mjekësisë, që me ardhjen në krye të tij të dekanit që ka tani, po përjeton një dramë të pazakontë e të pamerituar: tollovinë e një sherrnaje rraskapitëse. Veprimtaria tradicionale e tij duket si e paralizuar, mbështjellë në një mjegullnajë konfliktuale enigmatike, kryesisht subjektive, e natyrës administrative e relacionale. Emri i Fakultetit të Mjekësisë krijon scope për median me ngjarje të pakëndshme, të padëgjuara më parë në të. Ja disa tituj të trishtë të shtypit dhe medias vizive për të:

Studentët demonstrojnë kundër dekanit. Studentë të zemëruar, që thonë se janë gënjyer prej tij. Studentë të tjerë kërkojnë dorëheqjen e dekanit. Senati i Universitetit, në konflikt me dekanin. Këshilli i Profesoratit të Mjekësisë, në mosmarrëveshje me dekanin. Rektori i Universitetit ndëshkon me masë disiplinore për mosrespektim të rregulloreve dekanin. Rektori i Universitetit shkarkon nga detyra për shkelje të urdhrave administrative dekanin.

Nga ana tjetër, dekani i vetëm kudër të gjithëve nuk pranon asgjë. Të gjitha janë të padrejta, të paligjshme, të gjitha nuk qëndrojnë. Çuditërisht, i drejti, i pagabueshmi është vetëm ai vetë.

Ndërkohë, Fakulteti i Mjekësisë shtyn plogështisht ditë në rutinë, si një anije që ecën për inerci. Nga Dekanati i Fakultetit në Rektorat dhe anasjelltas qarkullojnë thashetheme, në mënyrë pasionante, shkresa, urdhra, refuzime, deklarata, justifikime shterpë si në lojën fëminore E ke ti, se kam unë, ta lashë dhe mbaje vetë. Ato i kanë përpirë dekanit: premtimet që proklamoi kur u zgjodh dhe u votua me shpresa ndryshimi e modernizimi të këtij fakulteti të mbushur me famë.

Në vend të ridimensionimit konceptual të pritshëm, të vizionarit e reformatorit të madh, me sa duket dekani ka preferuar atë të administratorit të hekurt e burokratit madhështor.

Por, mjekësia bashkëkohore dhe sistemi ynë shëndetësor nuk rrinë në vend. Treni i reformimit e modernizimit të tyre ka kohë që është nisur e po ecën me vrull marramendës drejt së ardhmes. Fakulteti ynë i Mjekësisë në vend të ishte lokomotiva e tij, e sheh veten tashmë si qaraman mbetur jashtë tij, në platformë.

Obama dhe ne:

Bota ka ndryshuar dhe ne duhet të ndryshojmë bashke me të. Ti lëmë mënjanë sjelljet fëminore. Madhështia nuk dhurohet. Ajo duhet fituar. Ti jepet fund egos së papërmbajtur, premtimeve false, justifikimeve e demagogjisë të demoduar -vazhdon ai.

A ka vesh që ti dëgjojë dikush në Fakultetin tonë këto porosi të Presidentit të ri amerikan? Ato besoj do ta ndihmonin edhe dekanin tonë po ti kish vënë në objektivin e punës e të imazhit të tij si drejtues.

Fakulteti i Mjekësisë ka nevojë urgjente të rikthehet në funksionalitetin e plotë të tij. Madje kjo si hap minimal. Sepse ai funksional ka qenë edhe në ditët kur përjetonte privacione dhe presione penguese e kufizuese nga ato që nuk imagjinohen dot sot. Ajo që mund ti falet një drejtuesi të tij jokreativ sot, është të paktën: mos bëj çka nuk duhet bërë. Pra të paktën të mos bëj keq. Kurse ata që nuk bëjnë dot asgjë të mirë, sipas librit pasionant Mjekët, të Eric Segalit, meritojnë nofkën pleshta. Fakultetit tonë të Mjekësisë, kësaj kurdhe ku farkëtohen mjekët tanë të së ardhmes, i duhen liderë të aksionit pozitiv, vizionarë dhe dinamikë që planifikojnë, gjenerojnë dhe udhëheqin ndryshimin shumëdimensional me fantazi, iniciativë dhe vitalitet.

Arsyeja është sepse mjekët tanë të ardhshëm pritet të punojnë në sistemin tonë shëndetësor të reformuar dhe në një vend që po përjeton ndryshime të shpejta radikale shoqërore, ekonomike dhe relacionale, në tregun e lirë, në Europën Croos Border, pra mjek që do të duhet të zbatojnë shkencën dhe teknologjinë mjekësore në epokën e revolucionit informatik, që do të praktikojnë jo mjekësinë e deritashme të bazuar në opinione dhe eksperiencë subjektive, por atë të bazuar në Evidencë Shkencore.

Prandaj duken atavikë, drejtues të magjepsur pas shkresave dhe rigid zemërak të obseduar pas këtij apo atij detaji vogëlak burokratik; të cilët ligjet, rregulloret, urdhëresat e gjithë shkresat i përdorën si alibi i shterpësisë së iniciativave rinovuese apo si justifikim i dështimeve në arritjen e objektivave, dhe jo në funksion të maksimizimit të suksesit dhe kënaqësisë të studentëve për gjithçka u është premtuar kur regjistrohen në këtë fakultet.

Koha sot kërkon për Fakultetin e Mjekësisë lider me mençurinë e modestit, që përpiqet të dëgjojë dhe të kuptojë përpara se të kërkojë nga të tjerët ta dëgjojnë e kuptojnë atë. I duhet lider që të ndërgjegjësojë se në çdo fakultet apo universitet ai që është i pari, pra që duhet së pari të dëgjohet e të kuptohet është jo dekani, as rektori, por studenti. Fatkeqësisht, ato që thuhen, shkruhen e dëgjojmë për Fakultetin e Mjekësisë dëshmojnë të kundërtën.

Balonë e m