Makina që kishte në përdorim e dashura e Aleksandër Gocajt, Adelina Thaçi, ku ishte vendosur tritoli dje duke dalë nga Drejtoria e Policisë së Tiranës pas ekspertizës së hetuesve


Dashamir Biçaku


Hetimet e policisë së Tiranës në lidhje me tritolin e vendosur mbrëmjen e dy ditëve më parë në makinën që kishte në përdorim e dashura e Aleksandër Gocajt kanë përfshirë edhe një person tjetër. Ai është njeriu që i ka shitur makinën vajzës dy javë më parë dhe që mbrëmjen e së hënës, së bashku me vajzën, ka zbuluar eksplozivin. Sipas policisë, personi në fjalë është shtetasi Ed Zadeja, i cili do të merrte sërish makinën e tij mbrapsht pasi nuk kishte rënë dakord me blerësit.


Burime të policisë së kryeqytetit thanë se ishte vendosur me marrëveshje që vetura ti kthehej Zadesë, pronar i një servisi që ndodhet në afërsi të doganës së Tiranë. Për këtë shkak, mësohet se Zadeja, kishte mbërritur në kombinat, në rrugën Hamdi Cenoimeri, ku edhe ishte parkuar automjeti që ishte marrë në përdorim nga Adelina Thaçi.


Kur Zadeja ka shkuar për të marrë autoveturën, ai ka nisur kontrollin fizik të saj dhe në veçanti pjesën e poshtme. Pikërisht në pjesën e shasisë është zbuluar se kishte një pako të dyshimtë që nuk ishte pjesë e makinës. Pas një verifikimi më të saktë Zadeja, kuptoi që objekti nuk ishte një send i rastësishëm aty, por se mund të ishte një bombë. Menjëherë ai lajmëroi ekspertët e policisë, të cilët mbërritën në vendin e ngjarjes, për të neutralizuar materialin shpërthyes si dhe për të nisur hetimet. Pas më shumë se një ore punë, ekspertët xhenierë të RENEA-s, arritën të neutralizojnë eksplozivin, duke provokuar shpërthimin e tij në mënyrë artificiale. Për më tepër se 10 minuta, në zonën për rreth, u çaktivizuan dhe antenat e telefonisë së lëvizshme dhe celularët nuk punuan për pak kohë. Pas çaktivizimit, policia, kreu këqyrjen e mjetit në vendin e ngjarjes dhe më pas ai u transportua në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Hetuesit mësohet se kanë marrë në pyetje vajzën, e cila duket se ka mbetur e shokuar nga fakti se në mjetin e saj i gjet i vënë një sasi eksplozivi.


Hetimet e policisë pavarësisht faktit se lënda plasëse u gjet në kohën kur ajo ishte e parkuar dhe ishte në përdorim të Adelina Thaçit dhe Aleksandër Gocajt, janë përqendruar në disa pista. Sipas tyre e para është ajo e një atentati të organizuar ndaj Gocajt, duke qenë se ndaj tij nuk u arrit të realizohej atentati i parë. Hetuesit janë në mëdyshje nëse lënda shpërthyese është vënë përpara apo pas atentatit të javës së kaluar. Ndërkaq pista e dytë, sipas hetuesve është ajo e një atentati të mundshëm ndaj pronarit të servisit, Ed Zadeja, për ndonjë konflikt të mundshëm apo çështje të konkurrencës ndaj tij në biznes. Ky i fundit mësohet se ka përjashtuar konfliktet apo problemet e mundshme ndaj tij.